Kryeshefi i Telekomit Bedri Istrefi ka shkarkuar nga detyra një pjesë të menaxhmentit të shitjes në këtë ndërmarrje.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga vetë Istrefi, i cili nuk ka dashur të përmend emra, por që ka thënë se ka edhe menaxherë regjional edhe menaxherë të nivelit të lartë që janë afër zyrës së kryeshefit, të cilët janë shkarkuar.
Në anën tjetër lajmi.net merr vesh se janë shkarkuar dy Zëvendësdrejtorë të Departamentin e Shitjes, Blerim Zogaj dhe Driton Halili. Si dhe dy menaxherë të lartë në zyrën e Kryeshefit, Arben Shabani dhe Arsim Bilalli.
Istrefi po ashtu ka thënë se Drejtori i Departamentit të shitjes Demir Limaj nuk është shkarkuar, mirëpo janë duke diskutuar që ta gjejnë një zëvendësim për të.
“Jemi në përfundim të procesit, nuk kisha dashtë më u leshu me emra të përveçëm, nuk është vetëm shitja por ka edhe menaxherë regjional, ka edhe menaxherë të nivelit të lartë që janë afër zyrës së kryeshefit. Jam i interesuar që të rikthehet një aktivitet i punës dhe jo me ra në gjumë. Një pjesë bukur e madhe e menaxhmentit të shitjes janë shkarkuar, janë emëruar disa të rinj, kanë marr obligim dhe përgjegjësi që të ngjallet shitja dhe aktivitete e punës në sektorin e shitjes”, ka thënë Istrefi.
Siç ka thënë Istrefi, Limaj është i angazhuar edhe si profesor në Universitetin e Prizrenit dhe sipas ligjit është konflikt interesi që t’i mbajë dy poste.
“Demiri e ka kryer një punë jashtëzakonisht të madhe e ka kryer punën e tij zakonisht mirë, nuk është shkarkuar. Ai është i angazhuar si profesor në Universitetin e Prizrenit, dhe sipas ligjit është një konflikt interesi me a mbajt edhe pozitën e drejtorit edhe atë që e ka. Mirëpo shkarkim nuk ka, jemi duke diskutuar me Drejtorin e Shitjes që ta gjejmë një zëvendësues që i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret për të vazhduar tutje me aktivitetet e përditshme të Telekomit të Kosovës, mirëpo nuk është I shkarkuar”, ka thënë Istrefi.