Një bandë shqiptare, 4 nga Kosova e 1 nga Shqipëria, autore e një sërë vjedhjesh në provincat e Milanos, Monzas dhe Bergamos është shkatërruar nga autoritetet italiane.
Në pranga janë vënë pesë persona, katër nga Kosova e 1 nga Shqipëria. Ata janë Sabedin Bytyqi, 50 vjeç; vëllai i tij Arsim Bytyqi, 44 vjeç; Raimond Çela, 30 vjeç; Visar Sopjani, 33 vjeç dhe Fitim Emiri, 45 vjeç.
Të gjithë të arrestuarit janë me precedentë në fushën e vjedhjes. Ata dyshohet se janë autorët e të paktën 27 grabitjeve të kryera që prej 14 qershorit dhe 25 shtatorit të 2018-s, transmeton abcnews.
Banda përdorte një makinë që e kishte grabitur në dhjetor të 2017-s. Ishte në fakt Audi RS3 që bëri të nisnin hetimet ndaj tyre.
Në çdo grabitje grupi kriminal ndërronte targat, gjë që u vu re nga disa kalimtarë në zonën Trezzano sul Naviglio. Aty autorët mblidheshin dhe planifikonin grabitjet. Sipas mediave italiane, autoritetet kanë vlerësuar se në total grupi i shqiptarëve nga Kosova e Shqipëria ka kryer vjedhje me vlerë që shkon deri në 100 mijë euro.



