Shkolla fillore Komunale “Petar Zdravkovski – Penko” në Komunën e Butelit demanton informacionet e publikuara në disa media lidhur me “mbylljen e paraleles në gjuhën shqipe”.
“Me qëllim të informimit të drejtë dhe të saktë të opinionit publik, SHFK “Petar Zdravkovski – Penko” demanton informacionet e publikuara në disa media lidhur me pretendimet për “mbylljen e paraleles në gjuhën shqipe”, thonë nga SHFK “Petar Zdravkovski – Penko”, Komuna e Butelit.
Drejtoresha e SHFK “Petar Zdravkovski – Penko” thekson se veprimet e ndërmarra nga shkolla nuk janë vendime personale të drejtorit, por zbatim i Ligjit për arsimin fillor, udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe vendimit të Këshillit të Komunës së Butelit për rajonizimin e shkollave fillore.
Sipas saj, ky vendim është miratuar unanimisht dhe si udhëheqëse e institucionit, ajo është përgjegjëse për zbatimin e ligjit dhe vendimeve përkatëse.
Ajo shton se detyra e saj si drejtuese e institucionit është të zbatojë dhe respektojë ligjet dhe vendimet e institucioneve kompetente.
“Shkolla nuk ka marrë asnjë vendim për mbylljen e paraleles për shkak të gjuhës së mësimit apo përkatësisë etnike. Gjatë regjistrimit të nxënësve për vitin shkollor 2026/2027 është zbatuar rajonizimi dhe legjislacioni në fuqi, në përputhje me nenin 63 të Ligjit për arsimin fillor dhe vendimin e Këshillit të Komunës së Butelit”, tha drejtoresha.
Kriteri i vetëm i zbatuar ka qenë përkatësia e nxënësit ndaj rajonit të shkollës, në mënyrë të barabartë për të gjithë nxënësit, pa dallim të gjuhës së mësimit apo përkatësisë etnike. Asnjë nxënës nuk është refuzuar për shkak se kërkon të ndjekë mësimin në gjuhën shqipe.
Ky vendim është marrë edhe në interesin më të mirë të fëmijëve dhe me qëllim të ruajtjes së qëndrueshmërisë së paraleleve, duke pasur parasysh se në të kaluarën pranimi i nxënësve jashtë rajonit ka ndikuar në numrin e nxënësve dhe ka krijuar rrezik për zvogëlimin apo mbylljen e paraleleve në shkollat e Komunës së Çairit.
Siç thonë nga shkolla, zvogëlimi i numrit të nxënësve është një dukuri e përgjithshme që vërehet në disa shkolla. Në rastin konkret, jemi të detyruar të bëjmë riorganizimin e paraleleve, në përputhje me Ligjin për arsimin fillor, udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe vendimin e Këshillit të Komunës së Butelit.
Nga kjo shkollë theksojnë se nëse në të ardhmen do të ketë kërkesa të reja dhe rritje të numrit të nxënësve, me krijimin e kushteve të nevojshme, në shkollën tonë do të hapen përsëri paralele shtesë në gjuhën shqipe, pa asnjë pengesë.
Nga SHFK “Petar Zdravkovski – Penko” theksojnë se respektojnë të drejtën e çdo fëmije për arsimim dhe për arsimim në gjuhën e tij dhe se do të vazhdojë të punojë në mënyrë profesionale, transparente dhe të barabartë për të gjithë nxënësit, duke respektuar ligjet dhe vendimet e institucioneve kompetente./Alsat.mk.
The post Shkolla fillore “Penko” demanton pretendimet për “mbylljen e paraleles në gjuhën shqipe appeared first on Alsat.



