Gazetare: Melihate Rustemi
Nxënësit e shkollës periferike “Dituria” në fshatin Banjicë të Komunës së Çashkës pavarësisht që vijojnë mësimin në një objekt të ri dhe me kushte të mira infrastrukturore, por përballen me mungesë serioze të kuadrit arsimor dhe stafit mbështetës. Edhe pse të kënaqur me ambientin, nxënësit shprehin zhgënjim për mungesën e disa lëndëve.
“Unë jam klasa e tretë. Lexoj mirë, shkruaj mirë, vjersha di shumë. Shkolla e re është shumë e mirë. Krejt i kemi kushtet e mira. Ka ndonjë lëndë që nuk e mbani në klasën e tretë? Anglisht. Anglisht asnjëherë nuk kemi mbajt se nuk kemi mësues”, tha një nxënëse.
“Në shkollë kemi banka të reja, karrige të reja, të gjitha kushtet. Ne dëshirojmë shumë ta mësojmë gjuhën angleze por nuk kemi mësues”, u shpreh nxënësja.
“Më vjen keq që nuk kam lëndë të gjuhës angleze dhe maqedonase…se nuk ka mësues”, tha një nxënëse tjetër.
Mësuesi i parë në këtë shkollë, Besmir Xhaferi, thekson se përveç mungesës së mësimdhënësve për gjuhën angleze dhe maqedonase, problem serioz mbetet edhe mirëmbajtja e objektit. Sipas tij, shkolla funksionon me paralele të kombinuara dhe gjithsej ka 31 nxënës, ndërsa mbetet e paqartë mënyra e vlerësimit për lëndët ku mungojnë mësimdhënësit.
“Mësimdhënësit e pastrojmë edhe vet, ndonjë dit ka edhe prej fshatarëve që pastrojnë. Nuk është një ditë, askush sot nuk punon pa para, pa rrogë. Mendoj se nuk do të mbesin nxënësit pa dëftesa në fund të vitit, do të kenë nota. Mirëpo, si do e bëjnë, do e bëjnë me një provim klasor apo, nuk e di. Për këtë arsye ne drejtohemi te ministria e Arsimit me shkrim dhe me lutje që ato të na japin pëlqime për mësimdhënës dhe ta mbyllim gjithçka ashtu si duhet dhe si thotë ligji”, deklaroi Besmir Xhaferi, mësues në sh,f “Dituria”, fshati Banjicë, Komuna e Çashkës.
Kryetari i Komunës së Çashkës, Suat Shaqiri, thekson se komuna ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar miratime për punësim, por pa sukses. Ai thotë se ish-drejtuesit e Komunës nuk kanë pasur projekt për shkollën nëntëvjeçare pavarësisht premtimeve në opinion.
“Derisa nuk ishim këtu brenda flitej që është projekti I gatshëm për shkollën nëntë vjeçare, objekti pritet së shpejti, për këtë nuk kishte asgjë të vërtet. Jemi në procedurën e sipër, prej fillimit, tek projekti bazë dhe projekti i urbanizmit, që jemi nga fundi për rregullimin e procedurës administrative për përfundimin e projektit të shkollës nëntë vjeçare. Në bazë të planifikimit të projektit dokumentacionit do të jetë edhe vendi diku tjetër, është paraparë vendi në fshatin Otishtinë kurse në fshatin Banjicë do të mbetet deri në klasën e pestë”, deklaroi uat Shaqiri, kryetar i Komunës Çashkës.
Megjithatë, sipas kreut të Çashkës, Suat Shaqiri realizimi i këtij projekti mbetet i kushtëzuar nga mbështetja e pushtetit qendror, përkatësisht Ministrisë së Arsimit./Alsat.mk.



