Shkup/ Bujqve u shkoi dëm mundi i 6 muajve pas stuhisë së të enjtes

Gazetar: Adnan Qaili

Stuhia e së enjtes në Shkup, shkatërroi mundin e 6 muajve të bujqve. Ajo çfarë mbeti pas shiut dhe breshrit janë bimë të thyera dhe serra të demoluara, shkruan Alsat.

Vetëm disa kilometra larg kryeqytetit, në Inxhikovë që ndryshe njihet edhe si kopshti i Shkupit, gjithë banorët janë bujq, të cilëve këtë verë iu bë një dëm i madh.

Por, mllefin ata e kanë tek autoritetet se nuk iu rrinë mbas në situata të tilla të katastrofave natyrore.

Enver Islami thotë se vetëm në familjen e tyre këto dëme i kanë gjunjëzuar, por ndihen të pambrojtur në këto raste kur as kompanitë e sigurimeve, sipas ligjit, nuk iu mbulojnë dëmet për këto kultura bujqësore.

“Të mbjella kemi mbi 165 serra me lloj-lloj kulture bujqësore, dëmi është kati 100%. Këtu sivjet kemi investuar ne si familje mbi 40 mijë euro pa e llogaritur punën, pritjet ishin të fitonim mbi 120 mijë euro”, tha Enver Islami, bujk nga Inxhikova.

Banorët e Inxhikovës thonë nëse deri të hënën nuk del komisioni vlerësues komunal për të evidentuar dëmet materiale që janë bërë, të martën do të ja mësyjnë dyerve të kryetarit të Komunës së Gazi Babës, Boban Stevkoski, i cili për ditë më radhe nuk iu përgjigj dhe as nuk gjeti kohë për ti takuar këta banorë.

“Këtu jetojnë shqiptarët dhe maqedonasit dhe kërkojmë nga qeveria dhe Komuna e Gazi Babës të na ofroj mbështetje. Nëse nuk na ndihmojnë për prodhimet që kemi pas dëme 100%, deri të hënën presim përgjigje dhe të martën do të dalim në protestë”, u shpreh një bujk nga Inxhikova.

Të dëmtuar rëndë materialisht, bujqit thonë se nuk do të rimëkëmbën as vitin ardhshëm për të mbjellë.

Si pasojë, prodhimet vendore do të reduktohen duke parë së rendimenti i këtyre fushave ka ushqyer pothuajse gjithë rajonin e Shkupit.

Kjo për dy ditë është ndjerë në çmimet në tregun me shumicë dhe nëpër pazaret e gjelbra me pakicë, ku specat e domatet janë shtrenjtuar për 10-20 denarë kilogrami.

“Askush nuk vjen të na dëgjoj ankesat, as Komuna nuk vjen të vlerësoj dëmin. Kemi shkuar në Komunë  asnjë s’na ka marrë parasysh. A ne shkojmë nëpër tubime partiake poshtë e lartë! Të dy partitë nga dy blloqet na kërkojnë votën në zgjedhje e tani u zhdukën gjithë dhe nuk vinë ti shohin dëmet që na kanë ndodh nga stuhia dhe breshëri”, u shpreh Skender Islami, bujk nga Inxhikova.

Në tokat bujqësore të periferisë së Shkupit, sipas banorëve dëmi i përgjithshëm nga reshjet e furishme të disa ditëve më parë ka tejkaluar mbi gjysmë milioni euro.

Ata thonë se stuhi të tillë kanë përjetuar vetëm kur ishin vërshimet në Hasanbeg dhe Stajkovc në vitin 2016, ku pati dhe viktima.

Atëherë thonë se shteti u dha dëmshpërblim vetëm 10% të dëmit të përgjithshëm të të mbjellave që patën pësuar para 8 viteve.

Druajnë për reshje të reja të shiut, të cilat sipas paralajmërimeve do të vazhdojnë gjatë gjithë javës gjatë orëve të pasdites./ Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme