Pejë, 3 gusht – Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës së Apelit, me aktgjykimin e 27 qershorit, ka refuzuar të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore të Pejës dhe ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Pejës, të shpallur me 26 nëntor të vitin 2015.
Trupi gjykues i Gjykatës së Pejës, i kishte liruar nga akuza për shpërdorim të detyrës zyrtare ose autoritetit zyrtar, të të akuzuarit Xhemë Berisha, Leonard Shabanaj, Vllaznim Përgjegjaj, Negihane Broçi, Nysret Lipa dhe Kujtim Lika. Këta, me aktgjykimin e sjellë të Gjykatës së Apelit, janë liruar nga akuzat e ngritura prej prokurores së lëndës Sahide Gashi.
Mirëpo, prokuroja e lëndës ka paralajmëruar se do të bëjë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.
Menaxheri i Zyrës së Prokurimit, Xhemë Berisha, ishte akuzuar për kryerje të veprës penale të ushtrimit të ndikimit dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare ose autoritetit zyrtar.
Kurse, Leonard Shabanaj dhe Vllaznim Përgjegjaj, zyrtarë në Drejtorinë e Arsimit, Nysret Lipa, zyrtar në Administratën Komunale, Kujtim Lika, zyrtar në Administratën komunale të Shëndetësisë dhe Negihane Broçi, zyrtare në Drejtorinë e Kulturës, ishin akuzuar për kryerje të veprës penale shpërdorim të detyrës zyrtare ose autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.
Konkretisht ky grup i zyrtarëve komunalë ka qenë i akuzuar lidhur me shpalljen e përfituesit të tenderit, më 2012, për sigurimin fizik të objekteve komunale. Këtë tender e kishte fituar kompania “Magnum Security”, pronë e zyrtarëve në Drejtorinë e Arsimit, Leonard Shabanaj dhe Vllaznim Përgjegjaj.
Këta të dy ishin akuzuar për veprën penale si bashkëkryerës të shpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit, pasi ata si zyrtarë komunalë në postet që kishin qenë, është pretenduar se nuk kishin pasur të drejtë ligjore të konkurronin me kompaninë e tyre në këtë tender.
Ndërsa, Xhemë Berisha, si menaxher i Zyrës komunale të Prokurimit ishte akuzuar se me pozicionin e tij kishte ndikuar te Komisioni vlerësues për përzgjedhjen e përfituesit të këtij tenderi, si edhe për tejkalimin e një pagese më shumë seç ishte paraparë në kontratë.
Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të liruarit nga akuza: Xhemë Berisha, Leonard Shabanaj, Vllaznim Përgjegjaj, Negihane Broçi, Nysret Lipa dhe Kujtim Lika mund të kthehen prej 1 gushtit në vende të punës. Këtë të drejtë, pas 17 muaj pezullimi, të martën e ka shfrytëzuar menaxheri i Zyrës komunale të Prokurimit, Xhemë Berisha, që ishte kthyer serish në vendin e tij të punës ./Koha.net