Gjykata e Apelit sot ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës me të cilin ishin liruar si të pafajshëm imamët e akuzuar.
Të akuzuarit Bedri Robaj, Idriz Bilibani, Enes Goga, Mazllum Mazllumi dhe Fuad Ramiqi janë liruar përfundimisht nga akuzat që rëndonin mbi ta.
E lidhur me këtë Lajmi.net ka kontaktuar edhe me njërin nga imamët e liruar nga akuza.
Imami nga Peja, Enes Goga, për Lajmi.net, ka thënë se ky vendim ka qenë i pritur, dhe se procesi ndaj tyre ka qenë i pastër dhe transparent.
“Ky vendim ka qenë i pritur, unë e kam thënë këtë edhe kur Gjykata Themelore e ka vërtetuar pafajësinë, kjo ka qenë e ditur dhe e pritur. Më 16 maj ka qenë seanca e fundit ku është shpallur pafajësia jonë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, prandaj ne atë ditë e kemi kuptuar që çdo gjë ka përfunduar. Procesi jonë ka qenë i pastër dhe transparent, kaq nuk kam çfarë të shtoj më shumë”, ka thënë Goga për Lajmi.net.
Enes Goga kanë qenë i akuzuar për shkak të veprës penale “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar etnik”.
Ndaj të akuzuarve është shpallur aktgjykimi lirues me arsyetimin se me provat e procedurat në shqyrtimin gjyqësor nuk është vërtetuar se në veprimet e të akuzuarve përmbushën elementet e veprave penale në fjalë.