I ftuar në intervistën “Saktë” kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditura edhe disa projekte që janë planifikuar të realizohen nga qeverisja e tij. Ai ka bërë të ditur se pas renovimit të Qendrave të Mjekësisë Familjare dhe hapjes së disa qendrave të reja, së shpejti pritet të hapet edhe një qendër në konviktet e studentëve që do të shërbejë vetëm për ta. Po ashtu, Ahmeti ka paralajmëruar edhe fillimin e procedurave për hapjen e parkingut nëntokësor tek Fakulteti Filologjik, i cili bashkë me autobusët e rinj që pritet të vijnë në gjysmën e dytë të muajit dhjetor, sipas tij, do ta shkarkojnë në masë të madhe komunikacionin në kryeqytet.
Po ashtu ai ka njoftuar se janë të gatshme edhe projektet për tregun e ri tek AKP – ja, pishina prapa Pallatit të Rinisë, hapësira banimi në lagjen “Bregu i Diellit”, etj.
“Së shpejti do të hapet Qendra e Mjekësisë Familjare në konviktin e studentëve që nuk ka qenë përgjegjësi e jona dhe nuk kemi qenë të obliguar ta bëjmë, por e kemi pas diskutimin që këta studentë që jetojnë në konvikte në Universitetin e Prishtinës nuk kanë një ambulantë ku mund të shkojnë. Dhe në bashkëpunim me Qendrën e studentëve e kemi bërë dhe besojë se së shpejti do të hapet”, ka thënë i pari i Komunës së Prishtinës, njofton portali Sakte.net
I pyetur nëse do të vendosen kamerat në institucionet parashkollore, Ahmeti e ka konfirmuar një gjë të tillë.
“Do të ketë kamera sa për siguri, por jo kamera që nënkupton vëzhgimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve apo edukatoreve. Kamera të këtilla kemi edhe nëpër shkolla, por nuk monitorojnë gjatë tërë kohës atë që e bën një mësimdhënës në shkollë. Këtë e kemi diskutuar edhe me sindikatën sepse është çështje e ndishme”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai është shprehur i bindur se Lëvizja Vetëvendosje! do ta fitojë edhe një mandat për të qeverisur me Komunën e Prishtinës ngaqë mbetën të përkushtuar që me punë ta fitojnë besimin e qytetarëve.
Intervistën e plotë SAKTË me autor Xhevdet Pozhari mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm.