Shpend, Isë, Kadri (SHIK)

Shkruar nga: Lavdim Hamidi   /

 

Shpend, realisht vetëm shkronja e parë e emrit të lidhet me akronimin e ish-Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) dhe lidhje tjetër këtu nuk besoj se ekziston.

Por zotimet e tua në fushatën e fundit parazgjedhore për t’u marrë me të “fortit” e SHIK-ut, kanë mbetur në nivel të premtimeve të fushatës.

Ndërtimet që bënin në Prishtinë kompanitë e lidhura me ish-drejtues të këtij Shërbimi, shumë kompani me lidhje të tjera politike po vazhdojnë me avazin e vjetër, përpos gjashtë muajve të parë të mandatit tënd në krye të kryeqytetit të Kosovës.
Edhe “garazhet e SHIK-ut” afër selisë së PDK-së qëndrojnë ende si kala të pamposhtura, pavarësisht se ky ndërtim pa leje ishte kryefjala e premtimit tuaj për luftën ndaj “zaptuesve” të shtetit.

Shpend Ahmeti është kryetar i Komunës më të madhe në vend, që është edhe pasqyra e Kosovës. Nuk besoj se kryetari i Komunës më të madhe, e cila ka probleme aq të mëdha infrastrukturore, urbanistike…, ka aq kohë të lirë në dispozicion që të merret me politikat ditore në vend apo edhe për zhvillimet në Aleppo, siç është marrë Shpendi pothuajse gjatë gjithë mandatit të tij.
Shpend, flotën e autobusëve të rinj ke mundur ta pasurosh edhe me një autobus më tepër, po që se do ta shisje veturën “Audi Q7” të ish-kryetarit Isa Mustafa, e cila po “kalbet” që tri vjet në garazhin e Komunës, ashtu siç premtoje…

***

Isë, nëse Shpendit i lidhet vetëm shkronja e parë e emrit me akronimin e SHIK-ut, ti qe dy vjet e ndan pushtetin politik me ish-shefin e këtij Shërbimi, pavarësisht se shkallëve të politikës je ngjitur duke e akuzuar SHIK-un.

S’po pres shumë moral politik nga kjo klasë aktuale politike, por të flasësh ende për zbardhjen e vrasjeve politike të figurave kryesore të LDK-së pas luftës, për të cilat vrasje e drejtoje gishtin pikërisht kah SHIK-u, ndërsa për më shumë se qe dy vjet je në krye të Qeverisë dhe bashkëpunëtori yt i ngushtë e drejton Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), definitivisht kjo është dyfytyrësi.

Ke ardhur në krye të Qeverisë me premtimin se për katër vjet mandat do t’i hapësh 120 mijë vende të reja të punës e deri më tani do të duhej të hapeshin mbi 60 mijë, por ky premtim mund të llogaritet si i realizueshëm deri në qershor të vitit 2018, po që se nga shifrat e të papunëve hiqen mbi 100 mijë kosovarët dhe i llogarisim si “të punësuar”, të cilët e braktisën vendin në fillim të mandatit tuaj si kryeministër.

Mund edhe ta arsyetosh mosheqjen e vizave për këtë vit duke e akuzuar opozitën, por një “Koalicion elefantësh”, siç ia dha epitetin zëvendësi yt në parti Lutfi Haziri koalicionit PDK-LDK, i ka pasur të gjitha mundësitë për të ratifikuar marrëveshje ndërshtetërore e për ta luftuar korrupsionin, dy kushte këto të vëna nga Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave.

Fundja, opozita e kundërshtoi ashpër zgjedhjen e Thaçit president, duke hedhur edhe gaz lotsjellës në seancë, për zgjedhjen e të cilit po ashtu nevojiteshin 80 vota të deputetëve, por për interesa personale dhe partiake i siguruat këto vota në mënyra të ndryshme.

***

Kadri, nëse Shpendit i asociacion shkronja e parë e emrit me Shërbimin që e ke udhëhequr, ndërsa me Isën e ndani pushtetin politik, me zgjedhjen tënde në krye të Kuvendit dhe këtë vit edhe në krye të partisë më të madhe në vend, ke arritur ta legalizosh SHIK-un.

Ish-bashkëpunëtorët tuaj tashmë janë gjithandej nëpër institucione qendrore, lokale dhe ndërmarrje publike, ndërsa me praninë e tyre në pozitat kyçe shtetërore ju definitivisht jeni një “Big Brother” i Kosovës.
Për opinionin kosovar nuk vazhdon të mbetet e mjegullt vetëm veprimtaria e SHIK-ut, të cilin e keni udhëhequr zyrtarisht që nga paslufta e deri në pavarësimin e Kosovës, por të mbuluara me tym kanë kaluar edhe dy vjet të mandatit tuaj si kryeparlamentar i Kosovës.
Qe dy vjet keni dështuar në dialog me opozitën e për më keq deputetët e kësaj të fundit në disa raste i keni fyer rëndë dhe si “rezultat” keni arritur ta përmbushni vetëm 35 për qind të agjendës së legjislativit.
Me ju në krye të Kuvendit për dy vjet po dështon që FSK-ja të shndërrohet në ushtri, nuk është ratifikuar Demarkacioni si kusht për liberalizimin e vizave me BE-në, etj.
Ndërsa si kryetar i PDK-së mezi arritët ta fitonit komunën e Drenasit në zgjedhjet e jashtëzakonshme të këtij viti, pavarësisht se kishit angazhuar gjithë aparatin shtetëror dhe e kishit bastion partiak që nga paslufta.
Edhe pse po tentoni të silleni me mirësjellje si kryetar i Kuvendit dhe i PDK-së, për mosfitimin pa balotazh të Drenasit, bashkëpartiaku juaj Ramiz Lladrovci do të thoshte: Nuk po iu besojnë më, Kadrio!

***

Shumëkush do të thoshte pse në fundvit do të duhej t’i kushtohej një koment pikërisht këtyre tri figurave politike në vend?

Sepse Shpend Ahmeti është kryetar i Komunës më të madhe në vend dhe me politikat e tij mund t’ia lehtësojë apo t’ia përmirësojë kushtet e jetesës së afër gjysmës së qytetarëve të Kosovës.

Sepse Isa Mustafa është kryeministër dhe nga vendimet e tij varet ekzistenca dhe perspektiva e gati dy milionë kosovarëve, ndërsa Kadri Veseli në këtë konstalacion ngjyrash të shkarravitura politike është faktor vendimtar pasi dirigjon në masë të madhe politikat qeveritare, duke përfshirë edhe parapolitikën siç thotë opozita.
Megjithatë, mbi këto tri figura politike qëndron presidenti aktual Hashim Thaçi. Si kryeministër i vendit për dy mandate e pati privilegjin ta lexojë Deklaratën e Pavarësisë, por gjithashtu pati “privilegjin” që t’ia japë Kosovës epitetin e shtetit më të korruptuar në Evropë, madje edhe në botë, ndërsa nga vendimi i tij për hapjen e universiteteve pothuajse në çdo qytet të Kosovës dhe me politizimin e skajshëm të arsimit, nxënësit kosovarë mbetën në “fund të pusit” në testin e PISA-s…

Suksesi i tij gjatë mandatit disamujor si president është takimi me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ndërsa me liderët e vendeve demokratike perëndimore s’ka kurrfarë takimi në agjendën afatgjate.

Me gjithë pesimizmin e akumuluar deri në palcë, gjithmonë mbetemi me shpresën se e nesërmja sjell diçka më të mirë.

Gëzuar 2017-a!

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme