Kandidatja demokrate ka shpenzuar 83 milionë dollarë kundrejt 70 milionë të miliarderit
Publikimi i shpenzimeve elektorale nga dy kandidatët për president në SHBA, Hillary Clinton e Donald Trump, gjatë këtyre muajve, mund të ndikojë shumë në elektorat. Me afrimin e datës së zgjedhjeve, çdo lajm i ri mund të bëjë diferencën duke parë pavendosmërinë e votuesve. Ndonëse Hillary duket se është në epërsi në sondazhe, kundërshtari i saj nuk garanton fitoren dhe lajmi se është ajo që ka shpenzuar më shumë, nuk duket se premton për mirë në fushatën e saj.
Në të dhënat e publikuara nga Komisioni Federal për zgjedhjet, Hillary Clinton ka shpenzuar 83 milionë dollarë, ndërsa Trump ka ndaluar te vetëm 70 milionë. Në muajt e fundit, ndoshta për shkak të skandaleve që kanë sjellë një mosmarrëveshje me partinë e tij, miliarderi ka dyfishuar investimet në reklama. Për blerjen e hapësirës në media, Hillary ka shpenzuar thuajse 76 milionë dollarë, ndërsa republikani, duke u bazuar te strategjia e ‘low cost’, ka shpenzuar 23 milionë në një spot komercial vetëm në muajin shtator.
Një tjetër diferencë është sigurisht numri i personave në bordero: kandidatja paguan 800 persona kundrejt vetëm 350 punonjësve dhe këshilltarëve të Trump. Kohët e fundit, kandidati republikan është interesuar vetëm në sondazhe duke investuar një total prej 1.7 milionë dollarë vetëm në muajin shtator në pesë studime të ndryshme në sondazhe.
Për sa u takon menaxherëve të fushatës së tyre elektorale, Clinton ka paguar Roby Mook, 153 mijë dollarë, ndërsa ish-drejtuesi i Trump, Corey Lewandowski, është paguar 540 mijë dollarë. Edhe pse është ajo që ka shpenzuar më shumë, Clinton arrin të tërheqë më shumë donacione: në muajin e fundit, ka grumbulluar 154 milionë dollarë, ndërsa rivali i saj ka mbledhur 100 milionë.
Përveç këtyre shifrave, kandidatët gëzojnë edhe donacione private nga ana e grupeve aktive politike. Kandidatja demokrate, ka pasur mbështetjen e Donald Sussman, rivali milioner i Trump, me një donacion prej 6 milionë dollarë. Ndërkohë, “NextGen Climate Action Committee”, ka dhënë për fushatën e kandidates 20 milionë dollarë, 18 nga të cilat janë dhunuar vetëm nga Tom Steyer, aktivist ambientalist. Nga ana tjetër, grupet politike nuk kanë qenë aq bujare me Trump: në shtator, një nga grupet “Make America Number One”, ka grumbulluar vetëm 2 milionë dollarë falë themeluesit Bernie Marcus./Shqip