Autor: Jusuf Thaçi
Të dashur e të nderuar themelues e organizatorë të DokuFest-it, falë idesë, vullnetit, angazhimit, punës e përkushtimit tuaj ky festival është shumë i mirë, shumë i rëndësishëm e me shumë vlerë për Kosovën, por, i tillë është vetëm si “DokuFest”, jo si “GjithçkaFest”!
Kosova ka shumë pak nisma, ndërmarrje a organizata vendore që kanë identitet të kristaltë, integritet profesional dhe reputacion të mirë vendor e ndërkombëtar. Fatkeqësisht, është shumë e vështirë të kemi diçka të tillë në Kosovë. Edhe ato pak që janë, rrezikojnë të shuhen ose të shpërfytyrohen. Kur shuhet diçka e tillë është shumë keq, por kur shpërfytyrohet është edhe më keq. Në rastin e parë, kur shuhet, së paku gjeneratat e ardhshme kanë ku dhe përse të bëjnë homazhe. Madje dhe mund ta ringjallin, ta rifillojnë mirë e si duhet. Në rastin e dytë, kur shpërfytyrohet, ju jep shembull të keq gjeneratave të ardhshme se si asgjë e mirë në Kosovë nuk mund të mbijetojë pa u shpërfytyruar. Kjo nuk të duhet as e gjallë e as e vdekur.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe Filmit të Shkurtër – DokuFest filloi dhe u konsolidua si një festival shumë i mirë e i suksesshëm në Kosovë. Qysh në vitet e para krijoi identitet. Në momentin që përmendej fjala DokuFest me automatizëm vinin në mendje tri gjëra: 1) “Filmi dokumentar” që ishte fokusi dhe qenësorja e këtij festivali, 2) “Prizreni” që ishte qyteti ku organizohej ky festival dhe 3) “Kinematë alternative të përshtatura me kreativitet” ku shikoheshin filmat e këtij festivali. Identitet më të kristaltë se kaq nuk mund të ketë një festival.
Veç identitetit, qysh në vitet e para DokuFest dëshmoi integritet profesional, me filma shumë cilësorë nga vendi, rajoni e bota e me juri shumë profesionale e me nam ndërkombëtar. Të gjitha këto bën që DokuFest shumë shpejt të fitojë reputacion shumë të mirë vendor e ndërkombëtar, rrjedhimisht edhe përkrahje vendore e ndërkombëtare. Arriti të sillte shumë vizitorë vendorë e ndërkombëtarë në DokuFest, qoftë profesionistët e fushave përkatëse e filmbërësit, qoftë shikuesit e publikun e gjerë.
DokuFest shumë shpejt arriti të bëhet ngjarja më e madhe e më atraktivja verore në Kosovë, sidomos për dashamirët e artit e kulturës dhe për të rinjtë në përgjithësi. Kishte shumë lajme, informata e intervista në media rreth filmave konkurrues, rreth filmit dokumentar e rreth pjesëmarrësve të ndryshëm në DokuFest. Thënë thjesht, mënyra si filloi e si u konsolidua shumë shpejt e shumë mirë, DokuFest-i ishte njëra nga mrekullitë e pasluftës në Kosovë për fushën e artit e të kulturës. Ky ishte vetëm fillimi!
Tani në vitin 2016, para një jave, përfundoi edicioni i XV i DokuFest-it. Dhe ç’pamë?! DokuFest që nuk i mjafton Prizreni, por që dëshiron aktivitete edhe në Tiranë, Prishtinë e Shkodër. Ç’pamë tjetër?! DokuFest që mbi 70% të kohës e të energjisë së vet, pra edhe të fokusit, e përqendroi në debate politike, në luftimin e korrupsionit, në promovimin e teknologjisë, në aktivitete për fëmijët, në organizimin e aktiviteteve sociale e rekreative, etj., etj..
Është e vërtetë se të gjitha këto aktivitete janë absolutisht shumë të rëndësishme në Kosovë, madje në sasi e në intensitet shumë më të madh se sa i ofron DokuFest-i. Mirëpo, asnjëra nga këto aktivitete nuk kanë të bëjnë absolutisht asgjë me filmin dokumentar e me filmin e shkurtër, pra nuk kanë të bëjnë absolutisht asgjë me DokuFesti-in. Rrjedhimisht, shumica e lajmeve, ndoshta lajmet kryesore këtë vit nga DokuFest-i në mediat e Kosovës u bënë pikërisht për këto aktivitete. Kështu, DokuFest-i u shpërfytyrua e shkau nga misioni i vet. DokuFest-i pothuajse e mbyti pjesën e vet “Doku”, e margjinalizoi maksimalisht, në prag të zhdukjes!
Kush nuk i beson asaj që sipër-thash mund të bindet vet shumë lehtë. Mjafton të hyni në ueb faqen zyrtare të DokuFest-it, shihni vetëm ballinën, nuk keni për ta parë fare logon e DokuFest-it; ballina dominohet nga një fjalë me shkronja të mëdha që nuk ka lidhje me DokuFest-in; menyja kryesore i kushtohet mbi 70% aktiviteteve që nuk lidhen me misionin e DokuFest-it, etj.. Fatkeqësisht, edicioni i sivjetmë i DokuFest-it nuk ishte i pari i shpërfytyruar, kjo po ndodh tash e disa vite me DokuFest-in.
Nëse themeluesit e organizatorët e DokuFest-it po e bëjnë këtë duke menduar se kjo është më e mira për DokuFest-in, atëherë së paku bile le t’ia ndërrojnë emrin, në mënyrë që emri të jetë në përputhje me aktivitetet që organizohen. Nëse po e bëjnë këtë për shkak të donatorëve sponsorëve, të cilët e kushtëzojnë përkrahjen e tyre financiare për DokuFest duke kërkuar aktivitete të caktuara që janë në përputhje me misionin e tyre, por në shpërputhje me misionin e DokuFest-it, atëherë le t’i shporrin ata donatorë e sponsorë. Të tillët nuk janë përkrahës të DokuFest-it, janë vrasës të DokuFest-it!
Kushdo që e përkrahë financiarisht DokuFest-in për t’i shërbyer misionit të vet, por jo misionit të DokuFest-it, ai nuk e do DokuFest-in, ai e do reputacionin e DokuFest-it për ta shfrytëzuar për nevoja të veta. Por, themeluesit dhe organizatorët e DokuFest-it nuk duhet ta lejojnë këtë, sepse duhet ta dinë që reputacioni i DokuFest-it ka ardhur si rezultat i identitetit dhe integritetit të DokuFest-it dhe vetëm ruajtja e tyre mund ta ruaj reputacionin e DokuFest-it. Në të kundërtën, nëse DokuFest-i vazhdon edhe vitet e ardhshme me praktikë të njëjtë si këto vitet e fundit, atëherë jam i bindur që shumë shpejt reputacioni i DokuFest-it do të shuhet, këta përkrahës do ta braktisin (do të gjejnë DokuFest-a të tjerë për t’i shfrytëzuar), rrjedhimisht DokuFest-i do të mbetet edhe pa përkrahje edhe i shpërfytyruar.
Andaj, si qytetar e si dashamir i madh i DokuFest-it, i bëj thirrje themeluesve dhe organizatorëve të DokuFest-it që ta shpëtojnë DokuFest-in nga vetvetja, sepse DokuFest-i vitet e fundit është duke krijuar një përbindësh me shumë koka që ka filluar ta hajë vetveten. Ju lutem, ruajeni DokuFest-in siç e keni filluar, me identitet të qartë, me integritet profesional e me reputacion të mirë. Kujtojeni një fjalë të urtë që thotë: “Po provove të bëhesh ai që s’je, s’do mbetesh më as ai që je!”.
Të dashur e të nderuar themelues e organizatorë të DokuFest-it, falë idesë, vullnetit, angazhimit, punës e përkushtimit tuaj ky festival është shumë i mirë, shumë i rëndësishëm e me shumë vlerë për Kosovën, por, i tillë është vetëm si “DokuFest”, jo si “GjithçkaFest”!
/DW