Gratë përbëjnë shumicën e gjyqtarëve profesionistë në Shqipëri, por vendi renditet ndër të fundit në Europë për përfaqësimin e tyre në këtë profesion.
Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, gratë përbënin 55% të gjyqtarëve profesionistë në Shqipëri, kundrejt 45% burrave. Ky nivel është më i ulëti në Ballkanin Perëndimor, pas Serbisë me 73%, Bosnjë dhe Hercegovinës me 64.8%, Malit të Zi me 63.8% dhe Maqedonisë së Veriut me 61.4%.
Edhe vendet fqinje të BE-së rezultojnë me përqindje më të larta, ku Greqia ka 75.5% gra gjyqtare dhe Kroacia 72.3%. Në Europë, nivelet më të larta u regjistruan në Slloveni (81.4%) dhe Letoni (79.7%), ndërsa gratë ishin pakicë vetëm në disa vende si Islanda, Irlanda dhe Lihtenshtajni.
Pavarësisht se gratë janë shumicë në gjyqësorin shqiptar, diferenca gjinore mbetet më e balancuar se në shumicën e vendeve europiane ku ky profesion dominohet më shumë nga gratë.
Ndërkohë, numri mesatar i gjyqtarëve profesionistë në Bashkimin Europian ka rënë nga 17.7 për 100 mijë banorë në vitin 2014, në 15.7 në vitin 2024. Kroacia dhe Sllovenia kanë raportet më të larta, ndërsa Irlanda, Austria dhe Spanja ndër më të ulëtat.
The post Shqipëria e fundit në Ballkan për numrin e grave gjyqtare, Eurostat: Vetëm 55% e trupës gjyqësore janë gra appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



