Iso-polifonia shqiptare dëgjohet në kolonën zanore të “The Odyssey”. Regjisori Christopher Nolan frymëzohet nga Shqipëria

Një pjesë e veçantë e tingujve që shoqërojnë filmin “The Odyssey” të regjisorit Christopher Nolan ka marrë frymëzim nga Shqipëria.

Iso-polifonia labe dhe instrumentet tradicionale të përdorura nga barinjtë shqiptarë janë përfshirë në procesin krijues të kolonës zanore të filmit.

Kompozitori i njohur dhe fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar këtë traditë të rrallë muzikore, e cila është shpallur nga UNESCO si Trashëgimi Kulturore Jomateriale e Njerëzimit.

Në një rrëfim për “New York Magazine”, Göransson ka treguar se vizita në Shqipëri ishte pjesë e kërkimit të tij për tinguj autentikë që do të përcillnin ndjesinë e një bote të lashtë dhe të paprekur, të lidhur me atmosferën e poemës epike të Homerit.

“Shkova në jug të Shqipërisë dhe kalova një javë duke regjistruar një stil të lashtë të të kënduarit, të quajtur iso-polifoni, të cilin nuk e kisha dëgjuar më parë të përdorej në një film”, është shprehur kompozitori.

Göransson, i cili ka bashkëpunuar më herët me Nolan në filmat “Tenet” dhe “Oppenheimer”, ka kërkuar përmes këtyre tingujve një lidhje mes traditave mijëravjeçare dhe gjuhës moderne të kinemasë.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai regjistroi edhe instrumente tradicionale, mes tyre fyellin e barinjve, një vegël që është përdorur prej shekujsh në zonat jugore të vendit.

“Regjistruam fyellin që barinjtë shqiptarë e kanë luajtur prej mijëra vitesh”, ka treguar Göransson, duke sjellë edhe një detaj nga përvoja e regjistrimeve në terren. Sipas tij, puna duhej të përfundonte çdo ditë para orës 18:00, pasi interpretuesit zgjoheshin rreth orës 04:00 të mëngjesit për t’u kujdesur për bagëtitë.

Përfshirja e iso-polifonisë shqiptare në një produksion të përmasave ndërkombëtare përbën një vlerësim të rëndësishëm për trashëgiminë muzikore të vendit. Tingujt e kësaj tradite të lashtë tashmë po udhëtojnë përtej kufijve shqiptarë, duke u bërë pjesë e një prej projekteve më të mëdha kinematografike.

The post Iso-polifonia shqiptare dëgjohet në kolonën zanore të “The Odyssey”. Regjisori Christopher Nolan frymëzohet nga Shqipëria appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme