Shqipëria nuk duhet të krijojë mite për rekomandimin e nisjes së negociatave me BE-në

E mërkurë, 02 Nentor 2016  –  Sakte.net

Më 9 nëntor, sipas vlerësimeve të diplomatëve të BE-së, Komisioni Evropian do të duhej të jepte rekomandimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Ky rekomandim do të përcillet me disa kushtëzime dhe këtë vit shtetet anëtare nuk do të marrin vendimin për nisjen e negociatave. Kjo mund të ndodhë vetëm vitin që vjen, dhe madje dikur në vjeshtë. Qeveria duhet ta kuptojë dhe qytetarëve t’ua komunikojë se fjala është vetëm për “rekomandim” e jo për “vendim” apo për hapje negociatash. Gjithsesi edhe rekomandimi është njohje e suksesit që ka arritur Shqipëria, sidomos me reformën në drejtësi, por nuk duhet ekzagjeruar, sepse BE-ja do të presë edhe rezultate konkrete në zbatim, me fjalë të tjera, politikanë të lartë në burg

Javën që vjen, saktësisht më 9 nëntor, Komisioni Evropian do të miratojë dhe do të bëjë publike paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit për vendet e përfshira në këtë proces. Në proces nuk po ndodhin zhvillime që do të mund të kishin ndonjë jehonë në opinionin evropian, por vetëm disa hapa për disa nga vendet në fjalë, hapa që nga BE-ja përdoren për të dërguar porosinë se, edhe pse nuk është më prioritet, procesi i zgjerimit megjithatë po vazhdon. Kështu këtë vit do të konstatohet se ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, se me Serbinë janë hapur disa kapituj të rëndësishëm në procesin e negociatave të anëtarësimit, se me Malin e Zi po ashtu janë hapur dhe mbyllur disa kapituj dhe se Komisionit Evropian i është dhënë mandati që të nisë përpilimin e mendimit rreth dhënies apo jo të statusit të kandidatit për Bosnjë – Hercegovinën. Turqia, edhe pse formalisht e përfshirë në procesin e zgjerimit sikur edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, është një çështje e veçantë dhe raportet rreth saj kanë një konotacion më të madh politik.

Këtë vit, nëse gjykojmë sipas asaj që flitet në Bruksel në prag të publikimit të raporteve të progresit, qortimet më të mëdha do t’i dërgohen Maqedonisë, ndërsa lajmi kryesor do të jetë Shqipëria. Në Maqedoni në periudhën nga raporti i fundit e deri më tash situata është keqësuar aq shumë saqë askënd nuk do ta habisë që një gjë e tillë edhe të konstatohet në Raportin e Progresit.

E Shqipëria këtë vit ka shënuar vërtet progres të madh, të cilin disa e quajnë madje edhe historik. Me gjithë vazhdimin e konfliktit politik në stilin e Shqipërisë, ku opozita ndaj qeverisë shpesh paraqitet edhe si opozitë ndaj shtetit, në BE e quajnë si “kthesë historike” miratimin e reformave në drejtësi, ndërsa janë të kënaqur edhe me gatishmërinë e autoriteteve të Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar, sidomos kultivimin dhe trafikimin e drogës.

Natyrisht se askush nuk e mohon se Shqipëria ka probleme serioze me drogën, me kultivimin e kanabisit, me trafikimin dhe me depërtimin e drogave më të forta në Shqipëri prej nga trafikohen tutje në Evropën Perëndimore. Por ajo që pranojnë është se nuk mungon vullneti politik që ky trafikim dhe kultivim të luftohet. Problemi qëndron me kapacitetet e Shqipërisë dhe me forcën e krimit të organizuar, i cili është ndërkombëtar. Krimi i organizuar në Shqipëri është aq mirë i organizuar saqë deri vonë ka qenë shumë vështirë që të goditet nga forcat e shtetit. Ai krim ka qenë dhe vazhdon të jetë i lidhur me rrjetet më të forta ndërkombëtare, prandaj ka qenë dhe është e pamundur që Shqipëria e vetme t’ia dalë në luftë kundër tyre. Ajo që tash po shihet është rritja e bashkëpunimit të autoriteteve të Shqipërisë me organet e shteteve tjera, sidomos të Italisë, Holandës, Gjermanisë, Belgjikës dhe vendeve të tjera. Këtu më duket se nuk ka hezitim nga pala shqiptare dhe prandaj, na thonë diplomatët në Bruksel, është shtuar numri i arrestimeve në Itali dhe vende të tjera si pasojë e informacioneve të mbledhura në Shqipëri. Për këtë arsye në BE besojnë se vazhdimi i kësaj lufte kundër krimit të organizuar do ta çlirojë edhe më shumë Shqipërinë nga ndikimi i strukturave të tilla. Opozita e Shqipërisë do të merrej më serioze sikur të vazhdonte të kërkonte vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar por humb seriozitetin kur ekzagjeron me fjalorin agresiv duke akuzuar qeverinë për “trafikim të drogës nga ajri, uji dhe toka”. Por në BE, edhe pse vazhdojnë të kenë besim në autoritetet e Shqipërisë, vazhdojnë të kërkojnë sa më shumë rezultate konkrete.

Sa i përket reformës në drejtësi, ajo ka shënuar kthesën më të madhe në përshtypjen për Shqipërinë në BE. Me paragjykime apo jo, Shqipëria për vite ka qenë sinonim për krim të organizuar dhe lidhje të këtij krimi me strukturat e pushtetit, nga ato policore deri tek gjykatat. Madje disa diplomatë përdorin për të përshkruar këtë ngjarje edhe fjali si “kjo është ngjarja kryesore në Shqipëri prej rënies së diktaturës komuniste e deri më sot”.

Dhe të gjitha këto kanë bërë që të krijohet një konsensus brenda BE-së që Komisioni Evropian të bëjë hapin e ardhshëm në procesin e përafrimit me Shqipërinë. Më 9 nëntor, sipas vlerësimeve të diplomatëve të BE-së, Komisioni Evropian do të duhej të jepte rekomandimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Ky rekomandim do të përcillet me disa kushtëzime dhe këtë vit shtetet anëtare nuk do të marrin vendimin për nisjen e negociatave. Kjo mund të ndodhë vetëm vitin që vjen, dhe madje dikur në vjeshtë. Qeveria duhet ta kuptojë dhe qytetarëve t’ua komunikojë se fjala është vetëm për “rekomandim” e jo për “vendim” apo për hapje negociatash. Gjithsesi edhe rekomandimi është njohje e suksesit që ka arritur Shqipëria, sidomos me reformën në drejtësi, por nuk duhet ekzagjeruar, sepse BE-ja do të presë edhe rezultate konkrete në zbatim, me fjalë të tjera, politikanë të lartë në burg. Nëse nuk do të përfundojë dikush nga politikanët, gjykatësit, prokurorët, natyrisht me dëshmi, në burgje, do të jetë vështirë që të binden në BE se Shqipëria po dëshmon rezultat në zbatimin e reformës në drejtësi.

Listat zgjedhore për zgjedhjet e vitit që vjen do të jenë një pasqyrë e asaj se sa të gatshme janë partitë politike që të respektojnë atë që kanë miratuar dhe atë për çfarë janë zotuar, pra për dekriminalizimin e skenës politike, e me këtë edhe të administratës shtetërore, nga krimi. Kot e kanë partitë politike kur akuzojnë njëra-tjetrën se cila është e pastër e cila e kriminalizuar, sepse në BE rreth kësaj nuk bëjnë kurrfarë diskriminimi, i shohin si përgjegjësi të gjitha partitë politike pa dallim. Sepse të gjitha ato gjatë viteve janë ndërruar në pushtet dhe problemet kanë mbetur.

Nga dhënia e rekomandimit qeveria e kryeministrit Rama nuk duhej të bënte mite. Që tash shihen përpjekje për të përgatitur skenarë të ndryshëm dhe për ta dramatizuar tej mase këtë ngjarje. Shohim në media se si “në Ditën e Pavarësisë Merkel do t’ia japë lajmin Ramës për vendimin e BE-së për të nisur negociatat”. Nuk është mirë të krijohen pritje të tilla, sepse 28 Nëntori i këtij viti vjen shpejt dhe atëherë do të ndodhë zhgënjimi. Ndoshta Shqipëria edhe mund t’i nisë negociatat për anëtarësim në BE në Ditën e Pavarësisë, por jo këtë vit. Kjo nuk shihet si reale aktualisht. Edhe po të shprehë mbështetje Merkel për nisjen e negociatave që tash, gjë që nuk pritet të ndodhë, ka forca të tjera në BE që nuk do ta lejonin një gjë të tillë pa u zhvilluar zgjedhjet në Shqipëri dhe pa i parë dëshmitë se po zbatohet reforma në drejtësi. Madje edhe rekomandimi do të vijë këtë vit, krahas arsyeve të cilat u përmendën më lart, sepse deri në pranverë të vitit 2018 nuk do të ketë më paketë të zgjerimit dhe raporte progresi, e Shqipëria nuk e meriton të mbahet në pritje deri atëherë.

E nëse në Shqipëri Qeveria dëshiron të manipulojë duke e shitur “rekomandimin” e Komisionit sikur të ishte një vendim për të nisur negociatat, atëherë me këtë e bën gabimin e njëjtë sikur qeveria e Sali Berishës kur “rekomandimi” u tentua të shitej sikur të ishte dhënie e statusit. Por, siç thotë populli, “rrena i ka këmbët e shkurtra” dhe shumë shpejt u dëshmua se kurrfarë statusi nuk i është dhënë Shqipërisë në atë kohë. Statusi u fitua shumë më vonë kur në krye të Qeverisë tashmë kishte ndodhur ndryshimi.

Janë disa gjëra ku pushteti dhe opozita duhet të pajtohen dhe të punojnë së bashku e integrimi në BE është pa dyshim njëra prej tyre. Në vend që të lobojnë nëpër Evropë kundër rekomandimit për nisjen e negociatave, opozita duhet t’i bashkohet Qeverisë që të kërkojë nga BE-ja që ndaj Shqipërisë të jetë më korrekte dhe të mos e lërë atë pa rekomandim. Siç pati thënë njëherë ish-kryeministri i Kroacisë, Zoran Milanoviq, “si mund të lejojë BE-ja që Serbia të ketë status kandidati dhe negociata të anëtarësimit e Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, të mos ketë”. Shqipëria është i vetmi vend, i cili ka status kandidati dhe nuk ka ende rekomandim të tillë. Por kur të dalë rekomandimi, ai duhet të kuptohet si një njohje e përpjekjeve të deritashme dhe motiv për ecje përpara e jo vetëm të shfrytëzohet si një vegël për fushata politike.

Është legjitime që ndaj një “rekomandimi të kushtëzuar” Qeveria të reagojë duke vënë theksin në “rekomandim”, ndërsa opozita në “kushtëzim”, por, pas këtij rekomandimi duhet të punojnë së bashku që të përmbushet edhe kushtëzimi dhe që rekomandimi të mos mbetet për vite e vetmja gjë që bën Komisioni Evropian për Shqipërinë. Sepse, siç dëshmon edhe rasti i Maqedonisë, rekomandimi mund të jetë i kotë për vite dhe asgjë të mos lëvizë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme