Prej disa ditësh jemi njohur të gjithë me një vendim të Edi Ramës për të sjellë në Shqipëri disa qindra, apo mijëra qytetarë afganë që po ikin nga regjimi i talebanëve.
Zoti Rama është në ekstazë thuajse të plotë. Deliri i tij është në gjendje 24 orë ON, sepse ai ndihet IN në një lojë të madhe morale, politike, sociale.
Mirëpo përveç një shkrimi bajat në Facebook përmes të cilit ai mund të gënjejë ata që kanë vendosur të gënjehen, disa intervistave adoleshenteske ku kryeministri i një vendi që po boshatiset i bën moral mbarë botës, ne nuk kemi një akt të vetëm zyrtar për pritjen dhe akomodimin e afganëve.
Padyshim që z. Rama ëndërron një lojë të madhe që e luan ai vetë. Ëndërron se është strategu. Por këtë e luan në kurrizin tonë që nuk na pyet – me të drejtë sa kohë flemë gjumë – që na begenis më pak edhe se afganët që po sjell, ndërkohë që e vërteta si drita e Diellit është se kurrfarë loje nuk ka këtu. Ka veç një urdhër nga SHBA përkundrejt një mbështetjeje perverse për një qeveri të korruptuar në të gjitha degët e saj.
Sikundër e vërteta tjetër e trishtë është se në fakt Shqipëria po trajtohet si bahçja e një njeriu të vetëm. Që po kështu u soll në rastin e armëve kimike, po kështu në rastin e Kosovës. Shtet, punë, mirëqenie nën liderin virtual!/Respublika