Nga Kim Mehmeti
Kryeministri i Shqipërisë betohet se nuk i kontrollon as mediat, as drejtësinë, as arsimin…, se në mëmëdheun tonë nuk ka oligarkë, por në ndërkohë, kur t’i kujtohet, i mbledh shpërndarësit e karburanteve dhe i urdhëron ta zbresin çmimin?!
Ministrat e BDI-së në Maqedoni thonë se i kanë pagat e ulëta mujore – duke besuar se populli është aq mendjelehtë sa të mos e dijë se ata nuk punojnë për rrogat e vogla, por për fitimin e madh që ua ofron posti – por pasurohen si të ishin pronarë të puseve të naftës.
Dhe mbase Kosova është e vetmja ‘Shqipëri’ e jona ku burrështetasit nuk bëjnë garë se kush do zhvatë më shumë nga ajo që jep populli dhe ku, qeveritarët kanë pushtet mbi hajdutin në vetvete.
E në ndërkohë, botën e kanë mbuluar retë e luftës, re të cilat i fshehin betejat që deri tani i ka humbur Perëndimi, e mes të cilave edhe atë për ta shpëtuar familjen, për të mos lejuar që nga fole me babë e nënë, ajo të bëhet ‘shoqat’ me prindin numër një dhe atë numër dy.
Po pra, jo vetëm ‘Shqipëritë’ tona, por edhe e tërë bota, është duke përjetuar tronditje të mëdha. Dhe pa dyshim se, pasi të tejkalohen këto luftëra e trazira, shumëçka në këtë botë do jetë më ndryshe. E pandryshuar do mbetet vetëm ajo që edhe deri më sot e ka përcaktuar vendin e popujve të varfër dhe të vegjël: të zgjedhin se cilës fuqie botërore do i shërbejnë!
E deri sa të vijë koha e rendit të ri botëror, ne do duhet t’i bindemi Piktorit, i cili nga pandemia na mbronte me tanke dhe duke na trembur se nuk do ketë varre për të gjithë ne, e sot, na bënë gati për luftë duke na paralajmëruar se do mund të vdesim nga urie.
Por sidoqoftë, fati i “Shqipërive” tona nuk varet vetëm nga drejtuesit e tyre. E ardhmja e trojeve tona varet edhe nga ajo sa e kemi kuptuar se, qoftë në kohë paqe, qoftë në kohë krize, banorët e një vendi, e jo burrështetasit e tij, vendosin nëse shteti do i ngjajë lopës, të cilën e ushqen i gjithë populli, por që e mjelin vetëm të pushtetshmit./sakte.net