Për Anadolu Agency (AA), 90-vjeçari Hajredin Isufi, flet për kujtimet e tij rreth gjenocidit, shpërnguljes së familjes së tij nga Çamëria, eksodin çam, si dhe vizitën në Türkiye për të takuar shqiptarët e Çamërisë
FATJON CUKA –
Në qershor të këtij viti në Shqipëri shënohet 78-vjetori i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, pasi me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë 27 qershori është caktuar si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinistët grekë”.
Teksa kanë kaluar shumë dekada nga gjenocidi, të paktë janë ata çamë që sot jetojnë për të rrëfyer dhe dëshmuar për masakrat ndaj popullatës çame, eksodin e çamëve, por dhe për jetën e shqiptarëve të Çamërisë pas emigrimit masiv. Në mesin e tyre është edhe studiuesi i çështjes çame, Hajredin Isufi, i cili aktualisht jeton në qytetin e Durrësit, i vendosur aty me familjen e tij që nga viti 1945.
Për Anadolu Agency (AA), 90-vjeçari Isufi i cili është larguar nga vendlindja e tij në vitin 1944 gjatë gjenocidit duke u vendosur fillimisht në Sarandë, flet për kujtimet e tij rreth gjenocidit, shpërnguljes së familjes së tij nga Çamëria, eksodin çam, si dhe vizitën në Türkiye (Turqi) për të takuar shqiptarët e Çamërisë.
– “Emigrimi i çamëve ishte një dramë e vërtetë”
Studiuesi Isufi tregon se ka lindur në Çamëri, në fshatin Rrëzanj të Igumenicës, dhe mes emocioneve kujton se kur janë larguar nga vendlindja e tyre kanë ikur shumë të tronditur dhe shumë të trishtuar, siç rrëfen ai “nuk dinim se ku shkonim, nuk dinim të nesërmen që na priste. Ecnim në mes të dimrit, në shi dh dëborë nëpër rrugët e Shqipërisë”.
Isufi shprehet se si gjithë familjet çame edhe rrethi i tij familjar e ka pësuar nga gjenocidi dhe mes lotësh shprehet se “nuk ka mbetur një familje pa pasur një dhimbje”.
“Ajo që më trishton dhe më krijon emocione ishte një rast i veçantë, kur neve vinim, nëna e mbante për dorë një vëlla tim të vogël. Aq e hutuar ishte nëna saqë për një moment iu shkëput fëmija nga dora dhe ajo ecte duke menduar se kishte fëmijën në dorë. Kjo ishte një gjë shumë tronditëse për një nënë që ecën dhe nuk e di ka fëmijën në dorë apo nuk e ka. Udhëtuam 4-5 orë dhe mezi e gjetëm vëllain. Pra ky ishte refleksioni i parë që më është ngulitur në mendjen time. Në këtë mënyrë ne vazhduam rrugën”, tregon Isufi për një nga momentet e emigrimit me familjen e tij drejt Shqipërisë, për t’i shpëtuar gjenocidit.
Duke theksuar se emigrimi i shqiptarëve të Çamërisë ishte një dramë e vërtetë, Isufi tregon se populli shqiptar i priti shumë mirë dhe shprehet se krahina e Konispolit, Sarandës dhe Delvinës, ishte përplasja e parë e të emigruarve.
“Çështja e gjenocidit nuk ishte diçka spontane. Shpërngulja e popullsisë çame, spastrimi i shqiptarëve të Çamërisë ishte një platformë politike e qeverisë greke. Qeveria greke synonte që në territorin e saj që fitoi pas vitit 1912-1913 të mos kishte të huaj nga feja dhe nga kombësia dhe deshi të krijonte një shtet homogjen”, shprehet ai.
– Vizitë në Türkiye për të takuar familjet çame
Një moment tjetër i rëndësishëm në jetën e tij, për hulumtimet rreth çështjes çame dhe më gjerë, ishte edhe vizita në Türkiye në vitin 2016, me qëllim takimin e shqiptarëve të Çamërisë dhe mbledhjen e të dhënave rreth jetës së tyre në shtetin turk.
“Unë para disa vitesh kam qenë në Turqi për një periudhë 3-4 javësh dhe kam shëtitur disa qytete të Turqisë, në rrethinat e Izmirit ku ka një shumicë të madhe çamësh. Atje gjeta një komunitet çam që nuk kishte harruar vendin e lindjes dhe kishte një dashuri dhe respekt shumë të madh për Turqinë që i priti, përgatiti dhe që i nxori në jetë. Atje ka shumë martesa mes turqve dhe çamëve. Atje unë konstatova një gjë që shtetit turk duhet t’i jenë mirënjohës jo vetëm ata, por edhe neve. Shteti turk i mori dhe që të nesërmen i integroi si shtetas turq, iu dha punë, me mundësitë që pati i rregullonte nëpër shtëpi, pra gjetën një mbështetje”, tha ai.
Isufi theksoi se dhe sot po të shkosh në disa qytete të Turqisë ka atje shumë shqiptarë të Çamërisë që kanë mall, e duan dhe e kujtojnë Çamërinë. “Çamët për Turqinë kanë një qëndrim jashtëzakonisht të mirë dhe iu them bravo ju qoftë atyre çamëve që i janë mirënjohës një shteti që u hapi dyert dhe i integroi në jetë”, shprehet ai.
Pas vizitës në Türkiye ai ka përgatitur dhe një studim për shqiptarët e Çamërisë që jetojnë në Türkiye duke përfshirë në të intervista, rrëfime, fotografi, dokumente të ndryshme dhe dëshmi të tyre mbi mbështetjen e Turqisë.
Ndërkohë, në vitin 1989 ai ka shkuar edhe në Çamëri pasi shprehet se i kishte vënë objektiv vetes të shkruante për Çamërinë dhe të mblidhte të dhëna mbi studimet e tij.
Në fund, duke theksuar se çështja çame duhet zgjidhur pasi sipas tij përndryshe nuk ka për të patur marrëdhënie të drejta dhe të shëndosha mes Shqipërisë dhe Greqisë, Isufi shprehet se “Çdo çam do të dëshironte shumë që çështja çame të ishte problemi kryesor i shtetit amë. Çështja çame është një problem. Çështja çame nuk zhduket nga fjalori, çështja çame nuk zhduket nga burimet historike, çështja çame ka lëshuar rrënjë në historiografinë greko-shqiptare. Dhe çështja çame merr rrugë kur çështja e historiografisë çame të shkruhet me drejtësi dhe me paanësi.”
– Gjenocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë
Masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë filluan që pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe do të kulmonin në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Nga qershori i vitit 1944 deri në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë të Çamërisë përjetuan një gjenocid të ashpër nga forcat greke nën komandën e Napoleon Zervës, që rezultoi me vdekjen masive të mijëra civilëve, por edhe me dëbimin, shkatërrimin, grabitjen dhe konfiskimin e pronave të tyre.
Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame.
Si pasojë e masakrave u spastrua etnikisht një popullsi prej 35.000 banorësh, shqiptarë muslimanë të Çamërisë që u vendosën kryesisht në Shqipëri si refugjatë.