Danimarka u bë shteti i parë i Bashkimit Evropian që nga sot 1 shkurt hoqi të gjitha kufizimet e vendosura kundër koronavirusit, pavarësisht numrit rekord të rasteve të shkarkuara nga varianti Omicron.
Ky shtet skandinav edhe një herë po heq masën e mbajtjes së maskave, certifikatën e vaksinës, kufizimin e punës së bareve dhe restoranteve. Danimarka kishte bërë një eksperimet duke hequr të gjitha kufizimet edhe në periudhën shtator-nëntor të vitit të kaluar.
Vetëm disa kufizime do të jenë në fuqi në kufijtë shtetërorë për udhëtarët e pavaksinuar që vijnë nga shtetet që nuk janë në Zonën Shengen.
Vendimi për hequr kufizimet bëhet pavarësisht se Danimarka po raporton 40,000 deri 50,000 infektime ditore, shifra që përbëjnë pothuajse 1 për qind të popullsisë prej 5.8 milionë banorësh.
Mbi 60 për qind e danezëve janë të vaksinuar me dozën e tretë. Kjo shifër është më e lartë krahasuar me mesataren e BE-së e cila është më pak se 45 për qind.
Duke përfshirë edhe personat që së fundmi kanë qenë të infektuar me COVID-19, autoritetet daneze vlerësojnë se 80 për qind e popullatës janë të mbrojtur kundër formave të rënda të sëmundjes.
Strategjia e autoriteteve daneze gëzon një mbështetje të gjerë brenda vendit. Sipas një sondazhi të publikuar më 31 janar nga e përditshmja Politiken, 64 për qind e danezëve të anketuar thanë se kanë besim në politikën e Qeverisë lidhur me pandeminë.
Pasi që numri i hospitalizimeve është më i ulët krahasuar me valët e mëparshme të pandemisë, disa shtete evropiane, përfshirë Francën, Irlandën dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë njoftuar për heqjen e kufizimeve apo lehtësimin e tyre, pavarësisht se këto shtete po regjistrojnë shifra të larta të rasteve të reja me sëmundjen COVID-19.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 73 për qind e popullatës në Evropë është infektuar me COVID-19 të paktën një herë që prej janarit të vitit 2020.