Gazetar: Suad Bajrami
Maqedonia e Veriut ndër vite ka qenë vatër e gjuhës së urrejtjes dhe incidenteve ndëretnike, kryesisht për shkak të politikanëve që kanë nxitur atmosferë të tensionuar. Pavarësisht se buletinet ndër vite kanë qenë të mbushura me raste të gjuhës së urrejtjes, të cilat fatkeqësisht jo rrallë herë kanë përfunduar edhe me krime nga urrejtja, institucionet e drejtësisë thuajse fare nuk i kanë ndëshkuar autorët. Kjo dëshmohet edhe me të dhënat zyrtare, ku prej vitit 2014 deri në vitin 2018, Gjykata Penale e Shkupit ka dënuar vetëm dy persona për gjuhë të urrejtjes, edhe atë jo me burg, por vetëm me para.
Rasti i fundit me thirrjet raciste kundër shqiptarëve në sallën sportive në Kumanovë ka rikthyer debatin rreth përgjegjësisë politike për shkak të mosndëshkueshmërisë së thirrjeve dhe nxitësve të urrejtjes.
BDI-ja e cila mban peshën më të madhe të përgjegjësisë, për shkak të ushtrimit të pushtetit mbi 22 vite, kërkon përgjegjësi, madje me propozim konkret për dorëheqje të funksionarëve të caktuar të koalicionit VLEN, të cilët tanimë një vit janë në ekzekutiv.
Megjithatë, pavarësisht se në periudhën derisa BDI ishte në pushtet kishte një mal të tërë me raste e persona që përhapnin gjuhë të urrejtjes e madje, përshkallëzoheshin edhe në dhunë nga urrejtja, nuk mbahet mend që ndonjë prej funksionarëve të BDI-së të ketë dhënë dorëheqje.
Rastet e tilla ishin edhe ngjarjet e nxënësve që rriheshin nëpër autobusë si pasojë e gjuhës së urrejtjes. Për heshtjen institucionale të BDI-së për këtë fenomen, partia e atëhershme opozitare, RDK deklaronte:
“Kjo mënyrë sjelljeje e Qeverisë aktuale, së bashku me propagandën gebelsiane të miqve të kësaj qeverie në mediumet proqeveritare, shoqëruar me rolin e strucit nga partia shqiptare në pushtet dhe shpëlarjen e gojës së ministrave shqiptarë – kukulla, ka inkurajuar elementin më destruktiv të këtij vendi, të zënë në krizë të gjithanshme”.
Valës së dhunës nuk i kishte shpëtuar futbollisti tanimë i njohur Jasir Asani, i cili ishte sulmuar fizikisht pasi kishte refuzuar të thotë fjalën “hamburger”.
“Ishin rreth 20 vetë dhe dolën para meje. Më detyruan dhe më goditën, donin të më shtrijnë. Më pas iu thashë, e dini kush jam? Luaj në Vardar, Jasir e kam emrin”, deklaroi Jasir Asani, futbollist.
Që gjuhës së urrejtjes i bashkëngjitej dhuna, tregon më së miri rasti i protestave të dhunshme në Gjorçe Petrov, pas vrasjes së maturantit Angel Petkovski. Në protestat e atëhershme, protestuesit demoluan objekte të bizneseve shqiptare që ndodheshin në lagjen Gjorçe Petrov. Pavarësisht se shqiptarët asokohe kishin BDI-në në pushtet, prona e tyre jo vetëm që nuk u mbrojt, por autorët nuk u ndëshkuan. Rastet, madje kishin kulmuar me sulmet e shqiptarëve në shtëpitë e tyre, siç ishin sulmet në Radishan, Nerez e Llokë të Sarajit, ku krahas dëmtimit të pronës, rrihej çdokush që u dilte përpara.
Sipas një videoje të shpërndarë në rrjete sociale, deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi, relativizonte sulmet fizike të fëmijëve shqiptarë, duke deklaruar se edhe mes shqiptarëve ka huliganë që sulmojnë fëmijët maqedonas.
“A dëgjoni? Ka edhe huliganë shqiptarë që sulmojnë fëmijë maqedonas. Ne nuk jemi këtu tash të ndahemi ne të mirët e ata të këqijtë. Sa të ngjashëm jemi, ndonjëherë nuk jemi të vetëdijshëm”, tha Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.
BDI që sot kërkon përgjegjësi politike, nuk kishte ndjerë përgjegjësi kur ministrja e Brendshme, Gordana Jankulloska në prani të zëvendësit të saj nga BDI-ja Xhelal Bajrami, kishte etiketuar pa vendim gjyqësor shqiptarët si “terroristë dhe autorë” të vrasjes së pesëfishtë në Smillkovë të Shkupit.
Se si trajtoheshin shqiptarët, ndoshta më së miri flasin përgjimet e publikuar ku Gordana Jankulloska shqiptarët i quante “indianë”, “të humbur”, por edhe me termin ofendues “shiptari”. Pavarësisht se gjithë popullata i dëgjoi këto ofendime, BDI-ja nuk i la karriget e pushtetit.
Për të arritur kulmin e ironisë, në kohën e qeverisjes së BDI-së u zgjodh për kryetar të Komisionit për Mbrojtje nga Diskriminimi, Toni Naunovski, një ndër personat me bindje antishqiptare, i cili paraprakisht i kishte quajtur “fashistë, njerëz të egër dhe armiq të vendit”. Nga PDSH-ja asokohe opozitare akuzonin BDI-në se nuk i bën përshtypje emërimi i Naunovskit pasi nuk ka problem me emërimin e tij.
BDI ishte në pushtet edhe kur organizata të ndryshme radikaliste publikisht ofendonin shqiptarët, por kjo symbyllur tejkalohej nga organet, pa ndëshkuar askënd. Rast i tillë është i vitit 2018-të, kur para shtëpisë legjislative fyheshin shqiptarët.
Skena të tilla ka pas pasur me dhjetëra e dhjetëra, por asnjëherë askush nuk është thirrur në përgjegjësi, as politike e lëre më penale. BDI ka qenë kontribuuese në infektimin e fjalorit të tillë etnik, dhe një nga zyrtarët e saj, i njohur për të kaluarën e shvercerizmit, Artan Grubi, u vlerësua më së shumti nga kjo parti pas pjesëmarrjeve tifozerike në Kala, protestat për Car Dushanin, kryqin në Butel e të tjera. /Alsat.mk



