Janë bërë 40 ditë që nga arrestimi i Ramush Haradinajt në Francë, ndërsa nga AAK kanë bërë me dije se qeveria e Kosovës nuk bëri asgjë për lirimin e tij.
Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kishte rënë në kontakt të drejtpërdrejtë më zyrtarët francez duke premtuar se Haradinaj shumë shpejt do të lirohet, por që faktikisht kjo nuk ndodhi.
Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka theksuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe në përgjithësi institucionet e vendit nuk kanë bërë pothuajse asgjë në lidhje me lirimin dhe kthimin e Haradinajt në vend, transmeton “Indeksonline”.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria në përgjithësi e kanë bërë minimumin e mundshëm, nuk kemi parë ndonjë angazhim të madh apo së paku ndonjë angazhim që ish dashtë me pas”, ka thënë Gjini.
Gjini shpreson që Haradinaj do të mund të kthehet në Kosovë edhe para datës 2 mars që është parashikuar si datë kur do të jepet vendimi i gjykatës. /albeu.com/