Shteti shqiptar në rënie të lirë

Opinion nga Klementin Mile

Grabitja e përsëritur e fugonit të parave pranë Rinasit zgjoi reagime të forta në opinion. Njëri prej tyre ishte verdikti që shteti tashmë ka rënë. Ky verdikt u kombinua me akuza për organizimin e grabitjes nga vetë strukturat e policisë së shtetit. Shkrimi im, megjithatë, nuk synon të hyjë në debatin për vërtetësinë apo falsitetin e këtyre akuzave. Kjo për dy arsye: e para, unë nuk disponoj informacionin e nevojshëm për t’i shndërruar spekulimet në konkluzione faktike; e dyta, fajësia apo pafajësia e shtetit nuk varet nga qëllimshmëria e veprimeve të strukturave shtetërore – fajësia e shtetit, ndryshe prej asaj të shtetasit, nuk ka nevojë të përcaktohet nga intencionaliteti.

Teza e këtij shkrimi është se shteti shqiptar është në rënie të lirë. Ky shtet e ka nisur prej kohësh rënien e vet dhe kjo rënie ka vazhduar përgjatë mandateve të disa qeverive të djathta dhe të majta. Është qesharake ta lidhësh rënien e shtetit shqiptar me aktin e një grabitjeje, qoftë dhe të përsëritur, qoftë dhe me ndihmën e strukturave shtetërore.

Shteti mund të shihet në dy mënyra: si objekt dhe si koncept. Ta shohësh shtetin si objekt do të thotë të përshkruash në mënyrë tërësore tiparet e tij, pra t’i referohesh të dhënave që mbledh INSTAT-i. Në këtë mënyrë tematizohet popullsia, shkalla e punësimit, ndarja urbano-rurale, numri i meshkujve dhe femrave, grupmoshat, shkalla e strehimit, të ardhurat, llojet e bizneseve, të profesioneve, përkatësia fetare, numri dhe lloji i krimeve etj. Nga ana tjetër, ta shohësh shtetin si koncept do të thotë t’i shohësh gjërat dhe realitetet nga perspektiva shtetërore. Kjo është e lidhur ngushtë me të ashtuquajturën raison d’etat, pra doktrinën e arsyes shtetërore. Implikimi është se shteti ka mënyrën e vet të veçantë të trajtimit të çështjeve; mënyrë që dallohet nga ajo e partive politike, nga ajo e grupeve të interesit, nga ajo e komuniteteve të ndryshme, nga ajo e lëvizjeve të protestës, apo nga ajo e individëve specifikë. Dallohet para së gjithash prej faktit që shteti përdor një perspektivë universaliste, përkundër perspektivës partikulariste të aktorëve të tjerë shoqërorë.

Treguesi më i qartë i rënies së shtetit është kur atij i referohemi vetëm si objekt dhe aspak si koncept. Kjo do të thotë që çështjet e popullsisë, të punësimit, të fshatit dhe qytetit, të strehimit, të biznesit dhe të kriminalitetit bëhen pjesë e diskutimit publik dhe politik, por ama këto çështje trajtohen nga mënyra tipike partikulare të partive, të grupeve të interesit, apo të individëve specifikë. Interesat që artikulohen janë partikularë dhe asnjëherë universalë. Pozicionet që mbahen në këto çështje nuk janë mbi palët, por janë pro njërës palë dhe kundër tjetrës. Arsyet partiake, individuale dhe të grupeve të interesit dominojnë diskutimet dhe debatet, duke shtyrë në një cep dhe heshtur arsyen shtetërore.

A nuk është kjo historia e rëndomtë e tranzicionit shqiptar? A është kjo histori e lidhur vetëm me qeverisjen e sotme apo shtrihet thuajse në të gjitha qeveritë pas viteve ’90? Shteti dështon të ekzistojë edhe atëherë kur strukturat “shtetërore” nuk bashkëpunojnë me krimin – mjafton që këto struktura të braktisin raison d’etat-në e funksionimit të tyre. Sa herë që bëhen ligje, zbatohen ligje apo interpretohen ligje pa mbajtur parasysh interesin publik, shteti pushon së ekzistuari. Vazhdon të ekzistojë vetëm si objekt i anketave të INSTAT-it.

Autori është Pedagog në UET

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme