Shteti vret në mënyra të ndryshme

Autor: Rexhep Qosja

1.
Janë bërë tetë ditë nga shuarja e jetës në burgun e Prizrenit të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe studentit i cili edhe dy provime duhej t’i jepte për t’u bërë mjek i popullit!
Janë bërë tetë ditë prej se vendorë e të huaj, njerëz të politikës, intelektualë, medie të shkruara dhe elektronike shfaqin mendime për këtë vdekje të papritur, të ndodhur në rrethana të paqarta dhe në mënyrë edhe më të paqartë.
Disa, me vetësigurinë e njerëzve që s’kanë dëgjuar ndonjëherë për brejtje të ndërgjegjes, thonë se Astrit Dehari u vetëvra!
Disa të tjerë thonë se ai u vra prej atyre në duart e të cilëve e kishte lënë fati tragjik!
Disa të tjerë thonë se e vërteta për shuarjen e jetës së Astrit Deharit do të mësohet sigurt vetëm prej hulumtimeve të atyre që janë caktuar profesionalisht të hetojnë rrethanat dhe vdekjen e tij.
Disa të tjerë, ndërkaq, nuk ngurrojnë të thonë se e vërteta për këtë vdekje në të vërtetë nuk do të mësohet kurrë!
2.
Pavarësisht prej asaj që e thonë a edhe e shkruajnë ata që flasin për vetëvrasjen e Astrit Deharit; pavarësisht prej asaj që e thonë apo edhe e shkruajnë ata që flasin për vrasje; pavarësisht prej asaj që e deklarojnë ata që kërkojnë të priten të dhënat që do të sjellin ata që janë caktuar të bëjnë hulumtimin profesional të vdekjes; dhe pavarësisht prej asaj që deklarojnë ata që mendojnë se e vërteta për vrasjen a vetëvrasjen e Astrit Deharit nuk do të mësohet kurrë, për këtë vdekje tragjike e vërteta është kjo: të birin e Avni Deharit dhe Xhemile Deharit, anëtarin e Vetëvendosjes e vrau shteti: e vrau shteti i Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së të cilit prindërit e tij ia kushtuan gjithë jetën derisa ishin në Kumanovë e, mandej, në Zvicër, kurse të sotmes dhe të ardhmes së të cilit po ia kushtonin jetën e tyre mbas ardhjes në Kosovë.
3.
Shteti nuk vret vetëm në një mënyrë: Jo. Shteti, sidomos, shteti dhunëtar, i bërë shtet privat prej oligarkisë politike dhe përfituese, siç është sot shteti ynë, vret në mënyra të ndryshme: vret me plumba, më shpesh fshehurazi se hapur; vret me armë të ftohta; vret me dhunë fizike ndaj trupit dhe me dhunë psikike ndaj shpirtit; vret me përndjekje; vret me fyerje; vret me shpifje, me gënjeshtra e me mashtrime; vret me burgje, me paraburgje e me pasburgje; vret me mediet e paguara, me mediet e shantazhuara dhe me mediet e frikësuara; vret me mediet e kriminalizuara, siç është portali Express, por edhe disa të tjera! Astrit Deharin shteti e vrau jo me një po me disa nga këto mënyra vrastare! Dhe e vrau me disa nga këto mënyra sepse Astrit Dehari ishte me karakter e me bindje i panënshtruar para pushtetit dhunëtar! Dhe e vrau sepse ky shtet donte të vriste Opozitën dhe sepse ky shtet donte të vriste Lëvizjen Vetëvendosje! Dhe e vrau duke e burgosur me katër shokë dhe me një shoqe, duke i akuzuar të të gjashtët si terroristë që, u tha me gojët e me shkrimet e pushtetarëve, që u tha zyrtarisht e privatisht prej tyre, se deshën të vrisnin Kuvendin e Kosovës, deshën të vrisnin Kuvendin e Kosovës duke vrarë dy a tri tulla a xhama të këtij Kuvendi, prej sallave të të cilit lirinë dhe pavarësinë e Kosovës po e predikojnë dhe po e “mbrojnë” edhe një numër i atyre që sot perceptohen shumë papranueshëm e padurueshëm prej popullit.
Dhe, me supozimin se prej duarve të tyre “terroriste” u plagosën ato dy a tri tulla a xhama, ata u quajtën terroristë dhe u çuan ku u çuan! Dhe u terrorizuan si u terrorizuan! S’deshën të dinë pushtetarët e dehur prej pushtetit se terroristët s’vrasin tulla po njerëz!
4.
Shtetet demokratike me ligjet e veta i sigurojnë edhe të drejtat njerëzore të të burgosurve dhe kujdesen për ta. Ato, shtetet demokratike, pranojnë të jenë dhe janë përgjegjëse për jetën dhe për vdekjen e të burgosurve të tyre. Por, shteti ynë s’lodhet për ato të drejta të të burgosurve, prandaj u bë vrasës i Astrit Deharit jo vetëm në qoftë se ai u vra prej ndonjë shërbëtori zyrtar, por edhe në qoftë se u vetëvra! Shteti i Kosovës u bë shtet vrasës i tij sepse me terrorin politik e shtetëror e rëndoi pamatshëm politikisht, shpirtërisht dhe trupërisht!
Astrit Dehari nuk është i burgosuri i parë viktimë e shtetit tonë, por është viktimë e veçantë e këtij shteti, që tash e tre vjet po përdor edhe mjete e po zbaton edhe mënyra neofashiste në qërimin e hesapeve me kundërshtarët politikë! E me disa të tjerë!
5.
Pikëllimi i prindërve, i nënës dhe i babait, i motrës dhe i bashkëshortes së Astrit Deharit për shuarjen e jetës së tij është i madh, është i madh dhe është i rëndë, i rëndë sa bjeshka! E madhe, pamatshëm e madhe është edhe dhembja e shokëve, e kolegëve, e miqve, e dashamirëve të shumtë të tij për të.
Prej pesë nëntorit, kur u nda nga jeta, Astrit Dehari nuk është më vetëm i Xhemiles dhe i Avniut: Astrit Dehari tashmë është biri i shtrenjtë, është vëllai i shtrenjtë i ne të gjithëve, i gjithë Kosovës, i gjithë shqiptarëve.
Astrit Deharit iu bënë nderime mortore si një dëshmori, dëshmori të veçantë, të rënë në kushte të veçanta dhe në mënyrë të veçantë. Kur filloi lufta çlirimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Astrit Dehari ishte vetëm nëntë vjeç dhe mosha prej fëmije s’i lejoi të merrte pjesë në atë luftë. Por, në atë luftë morën pjesë prindërit e tij dhe morën pjesë duke e bërë shtëpinë e tyre në Zvicër shtëpi të shumëve nga ata që do të marrin pjesë në Luftën Çlirimtare në Kosovë. Astrit Dehari nuk mori pjesë në luftën për çlirimin e Kosovës prej pushtimit të Serbisë, por ra dëshmor në një luftë tjetër, shumë të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi: ra dëshmor në luftën politike për Kosovën demokratike, për Kosovën e qeverisur prej bijve e bijave të saj të paprishur prej arrivizmit, prej despotizmit, prej korrupsionit pandemik, prej nepotizmit primitiv, prej pasurimit lehtë dhe shpejt, prej pronave të patundshme e të tundshme, prej privilegjeve të gjithfarëllojshme, prej arrogancës dhe megalomanisë në të cilën aq lehtë e aq shpejt zhyten ata që idealet nuk ngurrojnë t’i zëvendësojnë me karrige e me përfitim!
Le të ngushëllohen nëna e babai i Astrit Deharit me nderimet e jashtëzakonshme që iu bënë djalit të tyre! Le të ngushëllohen Xhemilja e Avniu me përvjetorët që do t’i shënohen birit të tyre si përvjetorë të dëshmorit të rënë për Kosovën demokratike, për Kosovën me drejtësi të kapur prej oligarkisë, për Kosovën ku para ligjit janë të gjithë të barabartë, për Kosovën me sistem vlerash që e bëjnë të kuptimshme e të dinjitetshme edhe jetën e atyre të shpërfillurve e të braktisurve prej pushtetit të oligarkisë, që obligimet shtetërore për të mirat e përgjithshme i ka zëvendësuar me përkushtime të pandalshme ndaj interesave të veta, të të vetëve e të partisë së vet!
Le t’i jetë e lehtë toka e Kosovës Astritit tonë që kësaj toke ia fali rininë, mendjen dhe virtytet e tij të larta.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme