Gazetar: Bashkim Sulejmani
Pas një viti vonesë, sot më në fund ka filluar gjykimi për rastin e modularit në Tetovë, i cili u përfshi nga flakët më 8 shtator të vitit të kaluar, shkruan Alsat.
Seanca e parë nuk është mbajtur, shkaku i mos paraqitjes në gjyq të dy të akuzuarve, drejtorit ekonomik Artan Etemi si dhe përgjegjësit të COVID qendrës, Boban Vuçevski.
Pas verifikimit të emrave të të akuzuarve, gjykatësi Jordan Vellkovski, vendosi që të anulojë seancën, dhe të njëjtën ta caktojë për datën 14 tetor me fillim nga ora 10:00.
Në ndërkohë, mungonte edhe mbrojtësi i subjektit juridik i Spitali të Tetovës, i cili ishte vetëm me një avokat që u paraqit në cilësinë e përfaqësuesit të spitalit.
Avokati i të akuzuarit të parë Florin Besimi, kërkoi me këtë rast po ashtu që brenda kësaj periudhe, gjykata të ju lejojë qasje tek lënda, konkretisht tek akuza, me qëllim leximin e saj, për çka gjykatësi edhe e dha lejen në fjalë.
I akuzuari i parë, si drejtor i Spitalit të Tetovës, Florin Besimi, pas daljes nga gjykata tha se nuk ndjehet fajtor, ndërsa ka kërkuar durim nga mediat me besimin se drejtësia do të vihet në vend.
“Gjithçka që kam të them për procesin gjyqësor për këtë rast tragjik do e them para gjykatës. Lus mediat që të përcjellin këtë rast sepse unë personalisht i besoj sistemit gjyqësor dhe jam i bindur se e vërteta do të dëshmohet. Jam i bindur andaj kërkoj durim nga ana e mediave deri sa të fillojë procesi, sepse jam i bindur se me fakte dhe argumente do e dëshmojmë të vërtetë dhe jam i bindur se do del e vërteta”, tha Florim Besimi – ish drejtor i Spitalit të Tetovës.
Në seancën e sotme, nuk u paraqitën as familjarët e viktimave dhe të dëmtuarve, por vetëm disa nga avokatët e tyre.
Ndryshe, sipas të dhënave që siguroi televizioni Alsat ditë më parë, lidhur me përmbajtjen e akuzës, dy drejtorët e spitalit, përgjegjësi i spitalit modular dhe Spitali i Qytetit të Tetovës do të ndiqen penalisht për veprat penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mos veprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”. Piramida e përgjegjësisë sipas burimeve të Alsat nga ana e organit të akuzës është ndarë në përgjegjësi direkte dhe indirekte.
Për veprat penale për të cilat dyshohen përgjegjësit e Spitalit të Qytetit dhe Spitali i Qytetit si person juridik parashikohet dënime me burg deri në 5 vite. Megjithëse ndërlidhja e veprave me aktin e pakujdesisë zvogëlon rrezikun e dënimit maksimal, edhe atë:
“Nga 6 muaj deri në 5 vite burg do të dënohet personi zyrtarë ose personi përgjegjës i cili nuk vendos pajisje të parapara për mbrojtje nga zjarri, eksplozivi, përmbytja, helmimi, gazrat helmues ose jonizimi, apo pajisjet nuk i mban në gjendje funksionale ose gjatë nevojës për përdorim nuk vepron sipas rekomandimeve apo rregullativës teknike për masa mbrojtëse dhe me këtë përbën rrezik për jetën e njerëzve ose pasurinë në përmasa të mëdha”, thotë Kodi Penal, Neni 288.
Akti i pakujdesisë ndërlidhet me përgjegjësinë jo të drejtpërdrejt të drejtorëve të Spitali të Tetovës, gjë që mund t’i lehtëson atyre ngarkesën penale nga 5 vite në 3 ose fundja gjobë.
“Ai i cili veprën nga neni 1, 2 dhe 3 e kryen nga pakujdesia do të gjobitet ose do të dënohet me burg deri në 3 vite”, thotë tutje, Kodi Penal, Neni 288, paragrafi 4.
Ndonëse paragrafi 4 i nenit 292 brenda Kodit Penal sanksionon që në rast se si pasojë e veprës ka pasur një ose më shumë viktima parashikohet dënim me burg deri në 5 vite, po i njëjti paragraf i nenit 288 lehtëson barrën penale për udhëheqësit apo përgjegjësit e Spitalit të Qytetit.
Kodi Penal parashikon gjoba dhe dënime me burg për mosveprimin në përputhje me rekomandimet shëndetësore, akuzë me të cilën ngarkohet përgjegjësi i në Spitalin Modular mbrëmjen e 8 shtatorit.
Burimet e njëjta shtojnë se dyja ekspertizat, ajo vendase dhe ekspertiza gjermane kanë konstatua se përgjegjësi i repartit modular ose ndryshe i njohur si Spitali Modular ka përgjegjësi të drejtpërdrejt të cilën e ndanë bashkërisht me Spitalin e Qytetit të Tetovë që në pistën e hetimit dhe të akuzës penale udhëhiqet si person juridik.
Prokuroria Publike duke u thirrur në mbrojtjen e sekretit hetimor asnjëherë nuk ka arsyetuar para opinionit bazën e aktakuzës e cila faktikisht është larg pritjeve të opinionit dhe familjarëve të viktimave.
Zjarri në Spitalin Modular të Tetovës i cili sipas ekspertizave vendase dhe të huaja erdhi si pasojë e kabllos vazhduese ku ishte lidhur defibrilatori, mori jetën e 14 personave, një pjesë e tyre pacientë të infektuar ndërsa një pjesë familjar të cilët kujdeseshin për të afërmit e tyre.
Pas tragjedisë dorëheqjen e dha drejtori i Spitalit të Qytetit, Florin Besimi, drejtori ekonomik, Artan Etemi dhe zëvendësministri e ministri i Shëndetësisë, por Qeveria nuk pranoi largimin e Venko Filipçes i cili aso kohe udhëhiqte me dikasterin e Shëndetësisë.