“Si dështuan institucionet për të mbrojtur viktimat e dhunës në familje!” – Vetting: Ekspertët zbërthejnë mekanizimin e çalë! “Esmeralda” thyen heshtjen

EMISIONI VETTING


Prej shekujsh gratë kanë luftuar për barazi dhe kundra shtypjes, ku edhe pse disa të drejta janë fituar pjesërisht, femrat ende janë të prekura nga format e ndryshme të dhunës.

Ky fenomen i rëndë shoqëror ngre pyetje që nuk kanë kufij në kohë dhe hapësirë. Fjala bie, si mund të ketë një diskutim historik mbi teorinë e luftës së drejtë dhe asnjë teori të përdhunimit apo rrahjes së gruas?

Pavarësisht ndikimit që kanë në jetën e grave dhe të shoqërisë, studime apo hulumtime në këtë fushë kanë qenë thjesht pjesë e sfondit, pa u vënë re dhe janë trajtuar në mënyrë të përgjithshme.

28a20d59-5675-4019-8fb0-2627ac4631ab

Esmeralda ,një grua që ka qenë viktimë e dhunës në familje dhe ka pranuar të flasë në mënyrë anonime për emisionin “Vetting”, ajo ka rrëfyer vështirësitë dhe dhunën qe ka pësuar nga partneri dhe sipas saj e kanë gjenezën te komunikimi.

Sipas një nëne që ka përjetua prej vitesh dhunën, e cila është deklaruar me një emër “Esmeralda”: “Ishte i dhunshëm, gjërat nuk ndërtohen pa komunikim dhe kur ti ke përplasje me komunikimin, aty tregohet natyra e vërtetë e njeriut. Ai ishte i dhunshëm, gjithmonë kam dashur të ndahem po prapë e kam dashur si njeri”.

esmeralda

Sa herë që një grua vritet, një familje shpërbëhet duke sjellë pasoja që godasin shoqërinë njerëzore në të gjitha nivelet.

Dhuna ndaj grave është një nga shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut, është një kërcënim për jetën e grave, vë në rrezik jetën dhe shëndetin e tyre dhe godet drejtpërdrejt mirëqenien e fëmijëve.

06e56040-1f7d-47e3-85f2-1d28852fc2d6

Fëmijë të mbetur nëpër jetimore, nën trauma të rënda duhet të kalojnë dhimbjen dhe të përballojnë dramën sociale për të cilën nuk kanë asnjë përgjegjësi.

Sipas anketës së realizuar nga INSTAT në vitin 2018, një në tre gra në Shqipëri ka pohuar se gjatë gjithë jetës së saj ka qenë e dhunuar të paktën një herë nga partneri ose bashkëshorti i saj.

Për Vetting, Esmeralda shprehet se: “Ndiej rrezik të flas sepse gjithë rrugëtimi im ka qenë shumë i vështirë dhe e thashë që shoqëria ka shumë rëndësi. Unë nuk kam zgjedhur të dukem mire, unë kam zgjedhur të jetoj dhe ta flas mënyrën sesi unë jetoj”.

Por zanafillës së një vdekjeje të paralajmëruar i paraprin dhuna fizike dhe verbale, e cila degjeneron në dhunë ekstreme me pasoja vdekjen. Policia e Shtetit, Prokuroria, Gjykata dhe Bashkitë janë në dijeni të fenomenit, janë në dijeni të rrezikut që i kanoset një gruaje, por kjo gjë tashmë nuk shihet si një problem madhor. Madje mund të themi, që institucionet e shohin si një të dhënë statistikore.

eccaec24-e7d1-4005-8134-49324c750f01

Sipas sociologut Ergys Mërtiri: “Shteti mund të materializojë shumë, por shteti nuk do sepse është oportunist, shteti zgjedh të bëjë gjërat më të lehta që i vijnë për dore, shteti zgjedh ta ketë mirë me të gjithë, ta ketë mirë me OJQ, me ndërkombëtarët  dhe jo të adresojë arsyet pse ai ekziston, të adresojë problemet realisht.”

Ajo çfarë e bën më të rëndë situatën nuk është vetëm heshtja e institucioneve shtetërore, por fakti që këto institucione që paguhen dhe ekzistojnë për sigurinë publike, nuk e kanë mbrojtur viktimën kur kjo e fundit ka raportuar rastin në Polici dhe në Prokurori.

cb02ad75-ef4c-4917-b222-689247137654

Orjola Pampuri, deputete e opozitës shprehet për Vetting se: “Ne flasim për raste të tilla vetëm kur ndodhin raste të tilla, kur ka funde fatale. Ka ardhur momenti të veprojmë, dhe veprimi është fuqizimi ekonomik i gruas”.

Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se një numër i lartë institucionesh shtetërore, që duhet të marrin masa për mbrojtjen e grave nga dhuna, i kanë mbyllur rastet e denoncimeve, duke i lënë hapësira dhunuesit për t’u bërë vrasës. Këto janë konkluzione që dalin nga rekomandimet e Avokatit të Popullit, i cili ka kryqëzuar institucionet për mangësitë, që kanë kushtuar në humbjen e jetës për dhjetra gra në 10 vitet e fundit dhe shpërbërjen e familjeve shqiptare.

“Shoqëria shqiptare, mendoj unë, nuk ka gjetur vetveten për të pasur një tranzicion të butë drejt modernitetit, dhe ky tranzicion agresiv dhe jonormal prodhon situata nga më të ndryshmet”- shprehet për “Vetting” sociologu Ergys Mërtiri.

Më i tmerrshëm është fakti se gratë ose vajzat e vrara, të cilat i kanë mbijetuar dhunës nga partneri ose bashkëshorti kanë qenë nën ciklin e një dhune të përhershme, ku të gjithë e dinë, komshiu, familjarët, institucionet e sigurisë publike, por të gjithë kanë heshtur, përveç asaj.

Sipas Psikologes, Jorida Rustemi: “Një grua e cila ka fëmijë, një numër të madh fëmijësh apo ka një person të sëmurë në familje, apo ka dhe njerëz të tjerë të cilët duhet të përkujdeset është më e vështirë që ta denoncosh dhunuesin pavarësisht se dhuna mund të jetë e përsëritur”.

Sipas avokates Rezarta Agolli: “Unë kam rast që kanë 10 vite që janë në ciklin e dhunës.”

rezarta agolli

Avokati i Popullit: Vrasjet bien mbi Prokurorinë dhe Policinë

Mbrëmjen e 18 shtatorit 2019, një grua e re do të paraqitej në Komisariatin e Kamzës për të kërkuar mbrojtje nga një person që së shpejti do të ishte xhelati i saj.

Gruaja me inicialet E.Ç. do të kallëzonte penalisht kunatin e saj pasi disa ditë më parë, në 11 shtator 2019 ky person e kishte fotografuar atë në një bar kafe, ku ajo ishte e shoqëruar me vajzën e saj dhe një të afërmi, i cili edhe e kishte përndjekur. Këto foto, kunati i saj ia kishte nisur bashkëshortit të viktimës, i cili vuante dënimin në burgun e Fierit.

Asokohe gruaja do të dëshmonte se dy ditë më pas në 13 shtator 2019, ajo kishte shkuar për vizitë tek bashkëshorti në burgun e Fierit. Në burg ka pasur një debat me këtë të fundit, pasi burri i kishte treguar fotografitë që i kishte nisur vëllai i vet.

Sipas deputetes Papumri: “Në qoftë se duam të parandalojmë dhunën ndaj gruas, duhet të forcojmë sistemin e referimit, duhet të kemi zyra të posaçme në  njësitë administrative me persona profesionistë dhe të trajnuar përsa i përket dhunës ndaj gruas”.

Sipas mjekut Shkëlqim Ahmetaj: “Nëse dhuna është për shkak të formimit, pra është sistematike për shkak të formimit, ajo është rrugë pa kthim, për shkak të një xhelozie patologjike është rrugë pa kthim”.

shkelqim ahmetaj

Disa orë përpara se gruaja të shfaqej në Komisiariatin e Kamzës për kallëzim, rreth orës 06:30 duke dalë nga banesa e saj, i ka dalë përpara kunati, i cili e ka kërcënuar të ndjerën duke i thënë: “Do të fus plumbin në kokë!” dhe më pas është larguar me biçikletë.

E trembur për jetën e vajzës dhe të veten, viktima së bashku me vajzën do të shkonte në Komisariatin nr.5, duke bërë kallëzim dhe duke kërkuar që ky problem të ndiqej nga institucionet përgjegjëse.

Sipas dokumenteve të siguruara nga “Vetting”, oficerja e Policisë Gjyqësore Violeta Progni ka mbajtur procesverbalin: “Për kallëzimin e veprës penale” nga e ndjera, ku ajo ka kallëzuar kunatin për përndjekje, bërje fotografish dhe kanosje, duke mbajtur dhe dokumente për këtë rast.

Në datën 19 shtator 2019 është mbajtur procesverbali për kunatin e saj, që e përndiqte dhe nga deklarimet rezulton se vrasësi nuk e ka pranuar që të ketë përndjekur dhe kërcënuar kunatën.

Një ditë më pas, në 20 shtator 2019 Oficeri i Policisë Gjyqësore Rrezart Bala ia ka referuar çështjen Prokurorisë për veprën penale “Kanosje”.

“I përket institucioneve shtetërore të sigurojnë qoftë edhe banesa sociale me bonus qiraje, të cilat të jenë larg, goxha larg në distancë nga njëri-tjetri” shprehet për “ Vetting” mjeku Shkëlqim Ahmetaj.

Por çfarë bëri Prokuroria?

Më 2 tetor 2019, prokurori i çështjes do të merrte një vendim, që ndoshta mund të kishte parandaluar ngjarjen tragjike.

Sipas prokurorit, ky hetim duhej pushuar pasi që të ndodhemi përpara veprës penale të kanosjes, duhet që kanosja të jetë serioze, e çastit, që do realizohet në atë moment si dhe të shoqërohet me veprime konkrete, kurse vetëm përdorimi i kërcënimeve me fjalë, nuk le ndonjë dyshim se kanosja do realizohet.

Disa muaj më pas, në 10 janar 2020 rreth mesnatës do të ndodhte tragjedia, ku kunati i viktimës do të shqyente derën e dhomës së gjumit dhe në prani të fëmijës dhe nënës së vet, do të godiste gruan me sende të forta duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Një gruaja që ka provuar dhunën dhe aktualisht është ë divorcuar për rrëfehet për “Vetting” se: “Unë gjithmonë kam luftuar të kem familje, dhe së dyti pavarësisht veseve apo natyrës së vështirë të një personi tjetër kam dashur që natyra ime të mbjellë kulturë, të tregojë dhembshuri pastaj të drejtën, çfarë kam unë si njëri”.

Nga informacionet e siguruara nga “Vetting” konstatohet paaftësi e Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe njësive të Bashkisë Kamzë që monitorojnë këto situata.

Në lidhje me vendimin e Prokurorisë për të pushuar çështjen, Avokati i Popullit deklaroi se: “Për ironi të arsyetimit të prokurorit të çështjes ndonëse sipas të cilit kanosja nuk paska qenë serioze, e çastit, nuk është shoqëruar me veprime konkrete dhe se nuk ka lënë dyshime se kanosja do të realizohej, në fakt rezultoi se, vrasja e të ndjerës ndodhi dhe jeta e saj u mor padrejtësisht dhe në mënyrë mizore nga kanosësi i saj.

Nga dokumentet e siguruara nga “Vetting”, prokurori i çështjes nuk ka kryer asnjë verifikim për deklaratat e viktimës, si duke marrë në pyetje të bijën, burrin apo persona të tjerë që kishin dijeni për rastin.  Avokati i Popullit shkon më tej duke deklaruar se Prokurori i çështjes është në shkelje të ligjit dhe nuk është treguar profesionist me rastin konkret.

Madje në strukturën e Policisë së Shtetit ka mangësi si mungesa e eksperiencës dhe trajnimeve për dhunën në familje.

Komisariati i Kamzës nuk do të realizonte detyrat sipas ligjeve në fuqi pasi autori i ngjarjes ishte kunati, i cili është person i afërm duke sjellë ekzekutimin e ligjit nr. 9669, datë  18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar.

Sipas avokates Rezarta Agolli, që merret me mbrojtjen e grave nga dhuna, një grua që pëson një formë dhune ose merr në telefon policinë ose shkon në Komisariatin e policisë, atje shpenzon disa orë për të plotësuar një urdhër mbrojtjeje. “Më pas nga komisariati urdhri i mbrojtjes vjen në Gjykatë. Gjykata brenda 48 orëve cakton seancën dhe e lëshon urdhrin e mbrojtjes ose e rrëzon sipas vendimit të gjykatës.” tregon avokatja Rezarta Agolli

Por në rastin e Kamzës nuk ka patur urdhër mbrojtje, duke vendosur në pikëpyetje punën e punonjësve në Policinë e Shtetit që janë marrë me viktimën.

Ajo që e bën shumë të rëndë situatën është fakti se viktimës nuk i është bërë e ditur e drejta për t’u pajisur me urdhër mbrojtjeje: “Urdhri për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme” që jepet nga Policia e Shtetit, që përmban masat e menjëhershme për ndalimin e dhunës, deri në marrjen e vendimit nga gjykata.

Për rrjedhojë nuk është lëshuar: “Urdhri për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme”, nuk është hartuar kërkesa për lëshimin e “Urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje”, apo dhe “Urdhër mbrojtjeje” për viktimën, e cila zbulon se gruaja është braktisur dhe injoruar nga Policia dhe Prokuroria.

Dështimi i bashkive në mbrojtjen e grave

Me ndryshimet në ligjin për dhunën në familje, të përfshira në mekanizmin e mbrojtjes janë edhe njësitë pranë bashkive, që kanë rolin mbrojtës.

Sipas avokates Rezarta Agolli e cila është përballur vazhdimisht me klientë të saj të cilat janë dhunuar shprehet se: “Puna ngelet të Bashkia e cila me ligj është e detyruar të referojë zbatimin e këtij urdhri mbrojtjeje. Gruaja në momentin që ka marrë urdhrin e mbrojtjes e mbrapa, ngelet pa asnjë lloj ndihme përveç asaj letre”.

Nga rasti i viktimës në Kamzë, për të cilën Avokati i Popullit ka ngritur alarmin rezulton se Mekanizmi i Koordinuar të Referimit të rasteve të dhunës në Familje në Bashki nuk ka qenë në dijeni.

Duke mos patur asnjë njoftim mbi rastin në fjalë nga Policia, koordinatorja kundër dhunës nuk e ka trajtuar asnjëherë këtë rast dhe nuk e ka raportuar në takimin e Komitetit Drejtues për referimin e dhunës në familje.

Për rastin e kallëzuar në muajin shtator 2019, nuk është kryer vlerësimi i riskut dhe nuk janë marrë masat për mbrojtjen e viktimës pasi struktura e Policisë së Kamzës nuk ka ndjekur udhëzimet sipas ligjit.

Ka qenë Qendra “Të drejtat e Njeriut në Demokraci”, e cila ka ngritur shqetësimin për ndihmën ekonomike, që duhet të marrin gratë që janë viktima të dhunës në familje nga Bashkia Kamzë, që drejtohet nga Rakip Suli.

9f6739b0-b624-4629-90bd-f403cd50c076

Sipas Ines Leska drejtore ekzekutive e AWEN:  “Fondet nuk janë të mjaftueshme asnjëherë, sidomos fondet e alokuara nga niveli i institucioneve qendrore ose qofshin këto edhe institucionet lokale, pra Bashkitë që e kanë për detyrë që t’u përgjigjen qytetarëve me shërbime sociale, në këtë rast vajzave dhe grave në nevojë.”

Më 7 korrik 2022, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda doli me rekomandim për ndihmën sociale të viktimave të dhunës në familje në Bashkinë Kamzës, ku kërkoi që këto gra të pajisen me ndihmë sociale. Komisioneri i rekomandoi Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, që të udhëzojë brenda 24 orëve nga shpallja e vendimit për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ose urdhrit të mbrojtjes, viktima e dhunës në marrëdhëniet familjare të pajiset me shkurtimin e vendimit/dispozitivit të gjykatës, me qëllim shmangien e vonesave deri në zbardhjen e plotë të vendimit gjyqësor.

807a0980-f800-4690-b960-3b99581e1a2b

Sipas Psikologes, Jorida Rustemi: “Ajo që vihet re, është e vërtetë është një rritje e numrit të atyre që denoncojnë dhe kjo mund të ketë përgjigje nga më të ndryshmet. Që nga masat ligjore që janë marrë, me amendamentet dhe ndryshimet ligjore që janë bërë”

Nga analiza e fondeve për këtë strukturë, por edhe për Shërbimin Social Shtetëror, për periudhën 2020-2022  vihet re ulja e fondeve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ulja e fondeve është një vendim me pasoja fatale kur shohim se është rritur numri i rasteve të dhunës të dokumentuara, të cilët kanë kërkuar mbrojtje nga Policia e Shtetit.

Nga dhuna nuk preken vetëm gratë, por edhe fëmijët. Gjatë periudhës 2021-2023 të monitoruar nga Avokati i Popullit, 35 fëmijë u prekën nga vrasja e nënave të tyre nga të cilët 20 ishin të mitur. Po ashtu, disa prej tyre ishin të pranishëm në momentin e ngjarjes.

Këta fëmijë vuajnë pasojat psikologjike, por edhe ekonomike për shkak të ngjarjes edhe të zgjatjes së procedurave gjyqësore mbi kujdestarinë. Përgjithësisht familjet që marrin të drejtën e kujdestarisë së këtyre fëmijëve hasin vështirësi në rritjen dhe edukimin e tyre për shkak të situatës ekonomike, ose mungesës së shërbimeve dhe pamjaftueshmërisë së tyre.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme