Sipas ISHKP-së aktualisht situata epidemiologjike është nën kontroll sa i përket gripit sezonal, por me gjendjen aktuale klimatologjike që po mbretëron në Kosovë mundësia e rritjes së rasteve ekziston.
“Vala e gripit në territorin e Kosovës nuk ka pasur intensitet të lartë epidemik, ku njëri nga ndikuesit kryesor pos masave parandaluese ka qenë vaksinimi me kohë gjatë muajve tetor, nëntor dhe dhjetor i të gjitha grupeve të rrezikut”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.
Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës me përjashtim të komunave me popullatë serbe.
Numër më i madh i rasteve sipas IKSHP-së raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës por asnjëra nuk e kalon pragun epidemik.
Gjatë javës së parë 1 – 7 janar janë raportuar 1609 raste ILI, 193 raste ARI dhe 5 raste SARI.
Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit- IKSHPK deri më 10 janar 2017 janë testuar gjithsej 40 mostra të dyshimta në grip. Prej tyre 7 mostra kanë rezultuar pozitive: 1 mostër ka rezultuar pozitive në Influencën A(H1), 5 mostra në Influenca A dhe 1 mostër Influenca B.
Gjithashtu janë testuar edhe dy mostra në virus të tjerë respirator të cilat kanë rezultuar negative.
Në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale gjatë javë së 1-rë (01-07 janar 2018) janë hospitalizuar 3 raste me status gripal dhe 3 raste me Bronchopneumonia dhe Pneumonia (ARI).
Instituti Kombëtar tashmë ka dhënë rekomandime të duhura profesionale që qytetarët të kenë kujdes dhe të mos dalin gjatë në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorim sa më shume lëngje të nxehta dhe vitamina.
Paraqitje e sëmundjes është e obliguar me Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse nr. 02-L-109 andaj të gjitha institucionet shëndetësore kanë obligim që ta paraqesin sëmundjen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës po përcjellin me vëmendje shfaqjen e virusit A(H3N2) në hemisferën jugore (Australi) dhe po përhapet edhe në Europë, e që bënë pjesë në grupin e viruseve të gripit të zakonshëm dhe simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me gripat e zakonshëm, por që mund të shkaktojë komplikime të rënda të sistemit respirator, sidomos te personat e moshuar dhe ata me imunitet të dobësuar nga sëmundjet kronike.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës ka rritur vigjilencën për t’u përballur me raste eventuale të gripit A(H3N2) dhe është në gjendje gadishmërie të përcjellë situatën epidemiologjike dhe për çdo ndryshim të situatës epidemiologjke do të informoheni me kohë. /Lajmi.net/