Edi Rama kapet sërish në mashtrim.
Kryeministri gjeti rastin sot të justifikojë veten për lidhjet me kartelin më të rrezikshëm të kokainës në botë, atë meksikan të Sinaloas.
Edi Rama u shpreh sot se një njeri që ka pasuri më të madhe se GDP e Gjermanisë, është absurde të mendohet se pastron paratë në Shqipëri, aq më tepër në një hotel me më pak se 100 dhoma në Vlorë…
Edi Rama: “E para e punës, nuk besoj se ka ndonjë dallim të madh mes medias në fjalë dhe medias tuaj. Është e njëjta gjë. Mund të thuhen të vërteta dhe shumë gënjeshtra. E konsideroj të neveritshme që me një copë letër që del diku, kudoqoftë, merret një familje e tërë shqiptare dhe kryqëzohet nga mëngjesin në darkë, pa pyetur kush jeni dhe me çfarë merreni. Lidhet njeriu më i kërkuar në botë, pasuria e të cilit përllogaritet se është më e madhe se GDP-ja e Gjermanisë. Çfarë lidhje ka një njeri me pasuri të tillë të pastrojë paratë me një hotel me më pak se 100 dhoma në Vlorë?! Si bëhen këto gjëra pa asnjë verifikim? Thjesht kap emra, përplasi pas murit, ngriji dhe uli trafikantë, ngriji dhe uli, ju qofshi dhe Zoti ju pastë në kujdes”.
Por në fakt deklarata e kryeministrit është mashtrim fund e krye.
E para, GDP e Gjermanisë, vendi më i fuqishëm ekonomikisht dhe më i industrializuari në Europë, përllogaritet në 3.8 trilionë dollarë.
Ndërsa Ismael Zambada García i njohur si ‘El Mayo’, koka i kartelit të drogës në Sinaloa, sipas Bloomberg, ka një pasuri prej 3 miliardë dollarë. Pra, ‘El Mayo’ nuk zotëron pasuri më të madhe se GDP e Gjermanisë, por shumë herë më pak. Vetëm nëse kryeministrit i duken njësoj 3.8 trilionë dollarë dhe 3 miliardë (bilion) dollarë.
Edhe për këtë fakt që e nxjerr blof, Rama sërish do thotë se kështu e ka lexuar diku, siç u justifikua për gafën se ngrohja me 19 gradë në Zvicër është e dënueshme me 3 vite burg. “Nuk e thashë unë, por mediat”, u justifikua Rama.
Edhe për pasurinë e Ismael Zambada García do thotë nesër se një gjë të tillë e kanë raportuar mediat dhe ai aty e ka parë.
Dhe e dyta, argumenti qesharak i kryeministrit e nxjerr atë dy herë zbuluar. Kreu i qeverisë është i vetëdijshëm se nuk i shpëton dot përgjegjësisë publike sa kohë provat janë kokëforta dhe tregojnë se ai ka lidhje me kartelin meksikan. Dhe për më tepër, këta të fundit kanë gjetur territor në Shqipëri, duke investuar në rrjet kazinosh në hotelet bregdetare dhe jo vetëm. E gjitha me bekimin e kryeministrit.
© SYRI.net