Njësitet e specializuara të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Banorët lokal serbë kanë vënë barrikada për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve, pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për reciprocitet me targa.
Situata po vazhdon të jetë e qetë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani, tha për Klankosova.tv se protestuesit kanë vendosur barrikada edhe me zhavorr.
Kelani tha se deri më tani nuk është shënuar ndonjë incident.
“Situata është pothuajse e njëjtë. Ka pengesa në të dyja anët. Është tash edhe një pjesë me zhavor që e kanë vendosur si pengesë. Situata është e qetë në përgjithësi dhe si çdo herë Policia e Kosovës po bën punën e saj në mënyrën më të mirë”.
Sot është dita e katërt që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, ndërsa si rrjedhojë serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikë kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës.