Situatë e jashtëzakonshme në Sri Lanka, ku pas protestave masive të qindra mijëra personave, dy liderët e lartë të vendit, kryeministri dhe presidenti, ranë dakord që të japin dorëheqjen.
Lajmi shkaktoi gëzim në qendrën kryesore të protestës, në kryeqytetin Colombo, ku protestuesit hodhën fishekzjarrë në shumë zona, kënduan e festuan me instrumente muzikore.
Njerëzit u ngritën në protestë masive, pasi pak ditë më parë një foto e Presidentit Gotabaya Rajapaksa dhe kryeministrit Ranil Wickremesinghe, duke buzëqeshur në parlament, u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale.
Dorëheqja e Presidentit Rajapaksa ka qenë kërkesa kryesore e protestuesve gjatë muajve të trazirave, pasi inflacioni është në rritje dhe autoritetet luftojnë për të importuar ushqime, karburant dhe ilaçe. Sri Lanka po përballet me një mungesë të rëndë të valutës së huaj dhe i ka kërkuar Fondit Monetar Ndërkombëtar një kredi urgjente.