Kompania Rajonale e Ujësjellësit ” Prishtina”, ka njoftuar se niveli i ujit në liqenet akumuluese ka pësuar rënie.
Sipas tyre, niveli i ujit në liqenin e Batllavës është minus 4.20 metra nën kuotën maksimale, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit minus 4.74 metra nën kuotën maksimale, çdo javë niveli i ujit po bie nga 20 cm, pothuajse në të dyja liqenet.
Kompania e Ujësjellësit “Prishtina” ndër të tjera në njoftimin e dërguar ka dhënë edhe disa këshilla për shfrytëzim racional të ujit.
Ata thonë se nëse qytetarët i përmbahen në përpikëri këtyre këshillave, Kompania Rajonale e Ujësjellësit ” Prishtina”, do ta furnizojë me ujë të pijshëm secilin konsumatorë në mënyrë të barabartë dhe pa reduktime.
Më poshtë gjeni këshillat që duhet ndjekur:
-Mos lejoni të rrjedhë ujë kot nga rubineti juaj,
-Mos përdorni ujin e pijshëm për të larë veturat,
-Mos përdorni ujin e pijshëm për ndërtime të shumta në qytet,
-Mos pastroni trotuaret me ujin e pijshëm,
-Mos harroni t’i mbyllni çezmat tuaja, pasi lani dhëmbët,
-Mos vadisni lulet, kopshtet dhe arat,
-Paguani rregullisht ujin që konsumoni,
-Mos lejoni ndërhyrjet pa leje në rrjetin e ujësjellësit,
-Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë.
-Ujin mund ta zëvendësojë vetëm uji, andaj kurseje atë.