Presidenca i është përgjigjur menjëherë kryeministrit Edi Rama, i cili tha në emisionin “ReaL Story” se Presidenti Ilir Meta nuk ka ku ta gjejë popullin për të shpërndarë Parlamentin.
Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, paralajmëron kryeministrin Rama, me një fjali në “Facebook”, ku shkruan se “Gruaja e Bilalit do takohet shumë shpejt me popullin!”.
“Shiko unë kam Zahon atje që po pret të festojë ditëlindjen e motrës, më thatë të përgjigjem shpejt, tani më lini të mbaroj shpejt”,-u shpreh ai. Rama foli shkurt për sulmet e fundit të Presidentit , Ilir Meta, i cili ka kërcënuar edhe me shpërndarje Parlamenti, duke përmendur shpesh grushtin e shtetit.
“Nuk ka ku ta gjejë popullin për ta shpërndarë. Sinqerisht nuk kam asnjë të dhënë nga klima politike në Shqipëri, në këtë Shqipërinë e 1 km katror nga Presidenca te SHQUP. Nuk kam të dhëna të veçanta, por nuk kam asnjë çudi, janë situata ciklike që shfaqen hera-herës. Thjesht ndryshon teksti i këngës, por muzika është po ajo”, tha Rama.
Të ftuarit në panel i drejtuan sërish disa pyetje Ramës mbi këtë çështje, gjë që e detyroi kreun e qeverisë t’ua ndërpresë fjalën dhe të largohet. “Tani të lutem është shumë më i rëndësishëm Zaho dhe vajza që ka ditëlindjen se ky munhabet”,-theksoi ai para se të linte studion.