Gazetare: Melihate Rustemi
Shfuqizimi i pushimit pranveror nga ministrja e re e Arsimit, Vesna Janevska nuk është mirëpritur pozitivisht nga të gjithë mësimdhënësit, shkruan Alsat.
Mësuesi Shefajet Ramadani tha për Alsat se nxënësit dhe mësimdhënësit kanë nevojë për rifreskim për shkak se periudha e gjysmëvjetorit të dytë është shumë e gjatë deri në përmbyllje të vitit shkollor.
“Ishte një pushim shumë i nevojshëm për arsye se periudha janar-qershor është një periudhë mjaftë e gjatë dhe shkakton lodhje si për nxënësit ashtu edhe për arsimtarët. Është më mirë të vazhdoj ky pushim dhe të mbetet si tradicionale dhe Ministria e Arsimit ta inkorporon në kalendarin e vitit shkollor që ky pushim të vazhdoj edhe më tutje”, tha
Shefajet Ramadani, mësimdhënës.
Mësuesi Satki Ismaili vlerëson se pushim duhet të ketë por ai të jetë i shkurtër dhe të lidhet me ditët e fundjavës, të nis të mërkurën dhe të përfundoj të dielën. Ai tha se një ndërprerje më e gjatë në procesin mësimor humb përkushtimin dhe cilësinë e mësimit.
“Zgjati pak si tepër duke pasur parasysh kalendarin e vitit shkollor dëshmua se pushimi pranveror ndikoi te nxënësit jo edhe pozitivisht në aspektin se pas pushimit pranveror patëm një fazë e cila ishte fazë e vështirë e adaptimit të serishëm të nxënësve në procesin mësimor. Dëshmitë po flasin, ne të cilët jemi prezent në çështjet arsimore dhe jemi prezent n në mënyrë direkte në punën me fëmijët. Vazhdimi pak më i tepërt i vitit shkollor në kushtet në të cilat janë shkollat në vend ku nuk kanë hapësira të gjitha shkollat për ajrosjen e duhur, temperaturat të cilat në qershor janë të larta, mungesa e kondicionerëve”, u shpreh Satki Ismaili, mësimdhënës.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska një ditë më parë bëri të ditur se shfuqizoi pushimin pranveror të cilin nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm e shfrytëzuan nga 29 prilli e deri më 6 maj. Siç tha Janevska ditët e lira nuk dhanë asnjë rezultat pozitiv por vetëm se komplikuan realizimin e procesit edukativo arsimor.
Sipas Janevskës, vendimi u mor në bazë të anketave finale të realizuara të mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit. Gjithashtu, Janevska tha se viti shkollor do të përmbyllet më 10 qershor, përveç maturantëve./ Alsat.mk