Hetimi për Alta Bankën në Serbi po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha, pas arrestimit të pronarit të saj, Davor Macura, nën dyshimin për përvetësimin e rreth 45.5 miliardë dinarëve, apo afërsisht 380 milionë eurove. Hulumtimet e mediave investigative serbe kanë zbuluar edhe lidhje afariste mes Macurës dhe Milan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe dhe kryeterroristit që mori pjesë në sulmin terroristë në Banjskë
Autoritetet serbe kanë nisur një hetim të gjerë ndaj pronarit të Alta Bankës, Davor Macura, dhe dy punonjësve të këtij institucioni financiar, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe përvetësim të mjeteve në vlerë prej 45.556.596.250 dinarësh.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Macura dyshohet se, deri më 31 tetor 2026, kishte shfrytëzuar qasjen në kasafortën e bankës për të nxjerrë para, ndërsa dy punonjës të saj dyshohet se i kishin mundësuar hyrjen përmes kartelave të tyre ose duke ia dhënë kartelat përkatëse.
Të tre personat u arrestuan më 2 nëntor, me urdhër të Prokurorisë për Krimin e Organizuar në Serbi.
Dyshimet për 380 milionë euro
Detaje të reja për mënyrën se si dyshohet se është realizuar skema janë publikuar nga portali hulumtues KRIK, i cili thotë se ka pasur qasje në urdhrin e prokurorisë për zhvillimin e hetimeve.
Sipas dokumentit të siguruar nga KRIK, vetëm një pjesë e parave dyshohet se është nxjerrë fizikisht nga kasaforta e bankës.
Rreth 370 milionë euro, sipas dyshimeve të prokurorisë të publikuara nga ky medium, ishin regjistruar si të hyra nga këmbimi valutor i kompanisë “Alta Pay”, por paratë nuk kishin arritur asnjëherë në kasafortën e bankës dhe dyshohet se kishin përfunduar te Macura.
Pjesa tjetër, rreth 17 milionë euro, dyshohet se është nxjerrë fizikisht nga kasaforta.
Në mesin e dëshmitarëve që prokuroria synon t’i marrë në pyetje, sipas KRIK-ut, është edhe guvernatorja e Bankës Popullore të Serbisë, Jorgovanka Tabakoviq.



