Duke folur për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, politologu Ramush Tahiri në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se edhe pse Ramush Haradinaj, që është kandidati i koalicionit PAN, doli fitues i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, nuk ka mundësi ta formojë qeverinë.
Sipas Tahirit ekzistojnë disa mundësi për formimin e qeverisë.
“Me 38-39 deputetë nuk është numër i mjaftueshëm për të bërë vet Qeverinë e as së bashku me deputetët e pakicave aq më parë kur dihet që nëntë deputetët e listës serbe nuk janë deklaruar të gatshëm të hyjnë në koalicion. Mbetet mundësi të bëjë koalicion me LAA që ka 30 deputetë por që do të jetë vështirë pasi LDK u penalizua nga votuesit pikërisht për shkak se hyri në koalicionin trevjeçar me PDK-në, prandaj rihyrja në koalicion duket se do të ishte edhe fundi i kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme. Mundësi tjetër do të ishte një koalicion PAN me Vetëvendosjen por tash për tash po tregohet një kundërshtim i panegociueshëm i Vetëvendosjes. Në të dy variantet Ramush Haradinaj do të sakrifikohej dhe nuk do të mund të mandatohej si kryeministër. Varianti i tretë mbetet koalicioni qeverisës Vetëvendosje me LAA dhe me pakicat, pa Listën Serbe që do të kishte 82 deputetë ndërsa me Listën Serbe 91 deputetë. Mjaftueshëm në dy rastet për ndryshime me votim me dy të tretat në Kuvend. Atëherë mbetet të shihet edhe përkrahja ndërkombëtare për Albin Kurtin apo Avdullah Hotin kryeministër”, është shprehur Tahiri për gazetën “Bota sot”.
Më tej, ai tregon se si do të mund të vepronte presidenti në këtë rast për formimin e qeverisë dhe përkrahjen e ndërkombëtarëve.
“Presidenti Thaçi i mësuar edhe nga përvoja e Ivanovit në Maqedoni të drejtën e vet diskrecionale nuk do ta shfrytëzonte për bllokadë dhe për ta çuar vendin sërish në zgjedhje por në harmoni me Kushtetutën mandatin do t’ia jap në kohën e duhur atij që me nënshkrime deputetësh e dëshmon se e ka përkrahjen dhe votat e shumicës në Kuvend që duhet të jenë në secilin rast më shumë se 61 deputetë. Pra, krizë institucionale nuk do të ketë në Kosovë. Në ndërhyrjen e tyre miqtë ndërkombëtarë pritet të shihet se a e konsiderojnë të rrezikshme për stabilitetin e vendit mbetjen e PAN-in në opozitë dhe a e vlerësojnë stabilitetin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit me mbetjen e PAN it në opozitë apo përfshijnë një Qeveri të të gjithëve për të përfunduar edhe temat e obligimet ndërkombëtare në afat të caktuar siç janë Demarkacioni me Malin e Zi, vazhdimi i dialogut me Serbinë, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë dhe puna e Gjykatës ndërkombëtare për UÇK në”, ka deklaruar Tahiri për gazetën “Bota sot”.