Skenari që burgosi Ramush Haradinajn në Francë! Thaçi, Veseli e Haliti u larguan nga lista!

Rasti i ndalimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze me një urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia më 2004, ka risjellur në vëmendje politikën për tentimin e burgosjes së shqiptarëve nga ky shtet.

Ndonëse është menduar se në listën e Interpol-it gjenden emrat e 157 ish-pjesëtarëve të UÇK-së, një gjë e tillë është mohuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Zëvendësministri i Brendshëm Nehat Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka konfirmuar se lista e cila në media po prezantohet si listë e Interpol-it, në fakt është listë e publikuar në “Libri i Bardhë”, i nxjerr nga Qeveria serbe në vitin 2003.

Mustafa ka thënë se Policia e Kosovës, më 16 .12.2016 përmes zyrës së Interpol-UNMIK ka dërguar ankesë për futjen e këtyre 20 personave në listën e kërkimit nga Interpol dhe ka kërkuar largimin e tyre.

Zëvendësministri ka thënë se dhjetëra emra janë larguar nga kjo listë si rezultat i reagimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës, por për “Bota sot”, ai nuk ka dashur të komentojë më shumë, me arsyetimin se për komunikimin me Interpol-in është përgjegjëse Policia e Kosovës, e jo MPB.

Ndonëse gazeta ka provuar të marrë një përgjigje nga Policia e Kosovës lidhur me të njëjtën çështje, kjo e fundit nuk i është përgjigjur pyetjes sonë.

Brahimaj: MPB e dinte se do të arrestohej Ramush Haradinaj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Lahi Brahimaj, ka thënë se Qeveria dhe institucionet e Kosovës kanë pasur informacione të detajuara për listën e personave të kërkuar nga Interpol, dhe emrat e 157 personave që ishin në të.

Në këtë listë, sipas tij, kanë qenë edhe presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Xhavit Haliti dhe shumë të tjerë, mirëpo ata nuk i takojnë më kësaj liste pasi që me negocimin e Qeverisë së Kosovës, kjo listë është shkurtuar nga 157 në vetëm 20 persona.

Në listën, së cilës i është ndërruar përbërja, sipas deputeti Brahimaj, përveç Ramush Haradinajt, i cili e pësoi në Francë, gjenden edhe emrat e dy politikanëve të tjerë.

I pyetur nga gazeta “Bota sot” se për cilët politikanë e ka fjalën, Brahimaj ka thënë se këtë informacion nuk mund ta bëjë publik, meqë ky konsiderohet sekret shtetëror.

Por, sipas tij, i takon ministrit të rendit Skender Hysenit apo kryeministrit të vendit, të tregojnë se si i kanë negociuar emrat për largimin nga lista e Interpol-it, dhe pse kanë mbetur emrat e 20 personave të tjerë.

“Unë e kam lexuar deklaratën e zv.ministrit Mustafa në Facebook, ku thotë se 20 emra kanë mbetur. Ata e dinë se kush janë këta 20 emra. Pse nuk e kanë njoftuar Haradinajn dhe të tjerët, ata e dinë pse”, ka thënë deputeti Brahimaj për “Bota sot”.

Sipas tij, vet fakti që këta 20 ish-pjesëtarë të UÇK-së nuk janë informuar për rrezikun e përsëritjes së skenarit si të Haradinajt, flet për tendencë për eliminimin e tyre.

“Sigurisht, vet fakti se nëse ata nuk i kanë treguar atyre njerëzve që janë në listë, është një tendencë që me i eliminu njerëzit ose ashtu ne besojmë që është”, ka shtuar Brahimaj.

Larje hesapësh mes kundërshtarëve politikë

Lidhur me këtë çështje, analisti Rexhep Shahu, ka thënë se do të duhej patjetër që MPB t’i njoftonte shtetasit e Kosovës.

Por sipas tij, kjo ndodh kur drejtuesit e Ministrisë nuk duan të arrestohen shtetasit tonë, por në ato raste kur duan që ata të arrestohen, Ministria nuk i njofton.

“Në këto raste, Ministria i fërkon duart nëse arrestohen. Kjo politikë selektive, besoj se do të paguhet”, ka thënë Shahu për “Bota sot”.

Ai ka theksuar se mënyra e përzgjedhjes së individëve për largimin nga lista e Interpol-it, është politikë urrejtëse për t’i larë hesapet me kundërshtarët politikë me dorën e Interpol-it.

“Përveçse e pandershme, është edhe e dënueshme me ligj dhe me kanun. Është sjellje frikacakësh, pushtetarësh frikacak”, ka shtuar tutje analisti Rexhep Shahu.

Kosova të ngrit fletë-arreste për serbët

Edhe Naim Miftari, ish-pjesëtar i SHIK-ut ka komentuar mënyrën selektive të përzgjedhjes së personave për largim nga lista e Interpol-it.

Miftari ka thënë se fletëarrestet serbe nuk i kanë implementuar shumë shtete evropiane si Gjermani dhe Anglia. Ai ka thënë se nga Serbia janë kërkuar mbi 1400 persona, 99% prej të cilëve janë ish-pjesëtarë të UÇK-së.

“Mos të harrojmë se ka shqiptarë që janë arrestuar në Mal të Zi qe 11 vite e më shumë dhe mbahen në burgje për terrorizëm. Pse askush nuk u mor institucionalisht për këta njerëz që janë kidnapuar rrugëve në bazë të fletë-arresteve të luftës. Jeta e çdo personi e ka vlerën e vet. Nuk duhet me u ngrit tërë qeveria e populli vetëm kur arrestohet një politikan shqiptar, por duhet të ngritemi kur na preket edhe vetëm një qyetar i thjeshtë, pasi po vepruam kështu Serbia, nuk do të ketë kurrë guximin të arrestojë më liderë politikë apo ushtarakë”, ka thënë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Sipas Miftarit, Kosova duhet të ngrit fletë-arreste për shumicën e politikanë serbë dhe ushtarakëve, policëve, paramilitarëve që vranë mbi 14 mijë civilë shqiptarë, dhunuan, plaçkiten, kindnapuan e djegën në vendin tonë.

“Kosova duhet të ndjekë shembullin e Kroacisë, e cila ka ngritur mijëra fletë-arreste për krimet që i kanë bërë forcat dhe populli serb në Kroaci. Kosova deri më tani i ka ngritur vetëm 5 fletë-arreste për qindra mijëra krime të luftës që i ka bërë Serbia dhe UDB-ja”, ka shtuar tutje Miftari.

Ai ka theksuar se Kosova duhet t’i ndërpres bisedimet me Serbinë, pasi asnjë nga këto bisedime nuk ka sjellë ndonjë rezultat poziiv për vendin tonë.

“Me këtë politikë të nënshtrimit dhe robërimit, Serbia gjithmonë do të jetë para neve, si me diplomaci, por edhe me ekonomi, ushtri, polici e ndikim ndërkombëtar. Me Serbinë nuk do të kemi paqe kurrë. Ne gjithmonë kemi qenë viktimë e pastrimeve dhe gjenocideve serbe kundër nesh. E njëjta traditë po vazhdon edhe sot”, ka thënë në fund ish-pjesëtari i SHIK-ut Naim Miftari.

Ndryshe, gjykata franceze në Colmar e ka liruar me kusht nga paraburgimi Ramush Haradinajn, i cili ishte arrestuar më 4 janar në aeroportin e Bazelit për krime lufte dhe terrorizëm./BS/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme