Në pyetjen se a do të formohen dy BESA tani që një pjesë e degës së Tetovës është rreshtuar në krah të ish kryetarit Bilall Kasami, Rexhepi në ‘Studio e Hapur’ tha se Lëvizja BESA është nji por nëse dikush tjetër ka dëshirë të formojë një BESË të dytë, mund ta bëjë atë.
Ai tha se problemi në Lëvizjen BESA ka filluar që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare kur meritën e një suksesi të mirë është munduar t’i përvetësoj tani më ish kryetari.
“Problemi në Lëvizjen BESA nuk filloi brenda dy muajve. Nuk filloi me përfundimin e zgjedhjeve lokale, filloi pak më herët. Filloi që nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare kur meritën e një suksesi të mirë të një subjekti politik që paraqitet herën e parë në skenë, meritë e cila kryekëput ishte e strukturave të partisë në gjithë shtrirjen e saj që thash më herët, qëndrimin, guximin, ballafaqimin me problemet, u munduan njerëz…. kushtimisht thënë, kreu i ngushtë partiak u mundua ta përvetësojë dhe ta personalizojë për vete. Kur flas shumica është kryesisht kryetari i subjekti politik”, tha Rexhepi, duke shtuar se deri në zgjedhjet parlamentare BESA, ka funksionuar si trup, si kryesi e cila nuk ka lider.
“Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi krenar me faktin se nuk kemi lider. Por ka kryetar i barabartë mes të barabartëve”, deklaroi Rexhepi në Studio e Hapur. /SHENJA