Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, është liruar nga spitali. Zogaj pas trajtimit tre ditorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është lëshuar për të vazhduar trajtimin në shtëpi.
Ai u sulmua me shufra metalike para banesë së tij nga persona të panjohur mëngjesin e së mërkurës.
Zogaj në një intervistë dhënë Ekonomia Online, ka falënderuar stafin e QKUK-së për trajtimin e ofruar. Ai thotë se po ndihet mirë edhe pse do të vazhdoj të jetë nën përkujdesjen e mjekëve.
“Sot jam liruar nga spitali po e ndiej vetën mirë fal angazhimit shumë të madh të personelit shëndetësor në QKUK kam ardhur këtu në shtëpi, por kurimi vazhdon. Jam me fasha ndoshta edhe nuk do të zgjas shumë, mirëpo nuk kam lëndime serioze janë më shumë anësore, por prapë se prapë duhet të ruhem prej infeksioneve edhe duhet të kem kujdes që sa më shpejt që këto të eliminohen dhe t’i kthehem punës”, tha Zogaj.
Pasiqë po ndjehet mirë Zogaj, thotë se shumë shpejt do të kthehet në punë.
“Shumë shpejt do të kthehem në punë besoj që ma shumë se një javë nuk do të zgjatë trajtimi”, u shpreh ai.
Zogaj thotë se motivi i sulmin ndaj tij është puna që është duke bërë. Sipas Zogajt, që ku po drejton Shërbimin Korrektues, ka ndërmarrë veprime ligjore për të parandaluar parregullsitë.
“Gjithçka kom menduar por asnjëherë nuk kom menduar që kjo më ndodh. Nuk ka të bëjë me jetën private, por jetën me burgje dhe me atë që unë jam ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm. Ndoshta dikujt si ka konveno, sepse shumë gjëra që kanë shkuar mbrapsht të kaluarën unë i kam parandaluar, edhe si bazë unë e kam respektimin e ligjit dhe rregullave që i kemi në fuqi dhe i kam trajtuar të gjithë të burgosurit pamarë parasysh për cilat struktura janë, unë i konsideroj të gjithë të barabartë”, tha ai.
Ndonëse është në kontakt të vazhdueshëm me organet policore ai nuk ka komentuar se kush mund të jenë sulmuesit, e as për raportimet në media se janë në kërkim tre persona.
Ai sqaron se ka dëshmitë tek hetuesit policorë dhe pret që rasti i tij të zgjidhet, raporton EO.
“Unë nuk e kom atë informata nga policia, por e kam lexuar në media sikurse ti që janë në kërkim e sipër për tre persona nga regjioni i Podujevës por nuk e di. Por inshalla bien në gjurmë shumë shpejt dhe vijnë para drejtësisë. Nuk kom ide se kush munden me qenë këta persona”, shtoi më tej ai.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po vazhdojnë hetimet ndaj këtij rasti, por nuk ka dhënë detaje me arsyetimin e mospengimit të hetimeve.