Trupi i Liridona Ademaj-Murseli do të rivarroset sot në fshatin e saj të lindjes, në Rracaj të Gjakovës.
Kështu është bërë e ditur në një njoftim nga familjarët.
“Njoftim mortor nga familja Ademaj. Familja Ademaj njofton miq, shokë e dashamir se rivarrimi i vajzës tonë Liridona Ademaj e vrarë me datën 29.11.2023 bëhet nesër me datë 4 dhjetor 2023 në varrezat e fshatit Rracaj në ora 14:00”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka bërë thirrje të respektohet e drejta e privatësisë gjatë procedurës së rivarrimit të trupit të viktimës me kërkesë të familjarëve të Liridonës.
“Gjithashtu, iu bëjmë apel që të tregoni konsideratë karshi familjarëve të viktimës, lidhur me shkrimet e publikuara ndaj kësaj çështjeje, kjo pasi ka qenë kërkesë e vetë familjarëve të viktimës tek organet e hetuesisë, meqenëse në këto çaste janë duke përjetuar momente të vështira dhe kërkojnë të respektohet e drejta e privatësisë edhe gjatë procedurës së rivarrimit të trupit të viktimës”, thuhet në njoftim.
Liridona është vrarë më 29 nëntor në fshatin Bërnicë në Prishtinë.
Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar tre të dyshuarve masën e paraburgimit prej 1 muaji.
Në mesin e të dyshuarve është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Ai është i dyshuar për organizim të vrasjes, Granit Plava është i dyshuar për kryerje të vrasjes dhe Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është i dyshuar për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.