Beograd, 1 gusht – Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, do t’i prijë delegacionit të Serbisë në Bruksel, në kuadër të vazhdimit të dialogut në nivel ekspertësh me Kosovën.
Sipas medieve të Beogradit, dialogu Kosovë-Serbi në nivel ekspertësh do të zhvillohet sot e nesër, transmeton Koha.net.
Po sipas këtyre burimeve, bisedimet do të zhvillohen në selinë e Shërbimit Europian për Punë të Jashtme, ndërsa ndër temat e dialogut do të jenë zbatimi i marrëveshjes për themelimin e Asociacionit / Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe dhe i të tjerave të arritura më 25 gusht të vitit të kaluar.
Nga institucionet e Kosovës ende nuk ka ndonjë paralajmërim për vazhdimin sot e nesër të dialogut Prishtinë-Beograd, në Bruksel.