Me 30 minuta vonesë ka filluar gjykimi në rastin e njohur si “Syri i Popullit”. Ky gjykim është në fazën e shqyrtimit kryesor, ndërsa gjatë seancës së sotme pritet të japin dëshmitë e tyre dëshmitarët: Sabri Novosella, Gafurr Elshani, Nijazi Sinani, Avni Limani, Nysret Kuleta.
Të akuzuar në këtë rast janë Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana, raporton Koha Ditore.
Aktualisht para trupit gjykues dëshminë e tij është duke e dhënë Sabri Novosella. Ai ka thënë se ky grup e ka kërcënuar me vrasje.
“Në jetë time kurrë se kam pa Murat Jasharin. Sot po e shoh për herë të parë. Policia e Kosovës me ka njoftuar për planin e vrasjes”, ka thënë ai.
Novosella ka thënë se Murat Jashari e pjesa tjetër e grupit janë “njerëz shumë të mirë, idealistë, atdhetarë… unë mendoj që këta kanë ra në kurthin e konspiracionit sllavo-grek”, ka thënë.
Ai për të “dëshmuar” këtë që ka thënë, para trupit gjykues ka recituar një poezi të Gjergj Fishtës.
© KOHA.



