Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë organizon aksionin simbolik me rastin e Ditës Kombëtare për Personat e Pagjetur, i cili do të realizohet sot në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.
Që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, 18 vjet më parë, fati i mbi 1600 personave të cilët konsiderohen si të pagjetur ende nuk trajtohet me seriozitet nga Qeveria e Kosovës.
Kësisoj, familjarët e viktimave dhe shoqëria kosovare vazhdon të përballet me mohimin e së drejtës për të ditur të vërtetën dhe të drejtës për drejtësi.
Fatkeqësisht në Kosovë nuk u kushtohet rëndësi e njëjtë viktimave, pa dallim etnie, prandaj, ne organizojmë aktivitete për këtë temë dy herë në vit; në Ditën Kombëtare për të Pagjeturit dhe në Ditën Ndërkombëtare të Zhdukjeve të Dhunshme. Që nga viti 2008, YIHR KS është organizata e vetme rinore që në aktivitetet e veta e ngre zërin edhe për viktimat joshqiptare të luftës.
Përkundër kërkesave të shoqërisë dhe familjarëve të personave të pagjetur, Qeveria e Kosovës u ka kushtuar rëndësi të veçantë temave të tjera por ka dështuar të fusë këtë temë në dialogun e Brukselit, për shkak të mosinteresimit të palës serbe.
“Ne insistojmë që shoqëria kosovare nuk do të mundë të arrijë te një paqe të qëndrueshme dhe pajtim pa u adresuar çështjet që lidhen me luftën, përfshirë fatin e personave të pagjetur.”
Kjo njëherësh është vërejtje për të gjitha qeveritë e pasluftës, të cilat kanë neglizhuar këtë çështje.
Që nga viti 2008, kemi kërkuar përkushtim nga faktorët relevant dhe angazhim më të madh për zbardhjen e fatit të personave të pagjtur, ndonëse kemi hasur në vesh të shurdhër, kurse familjarët janë injoruar përmes deklaratave shterpe nga qeveritarët duke e trajtuar këtë çështje si krejt periferike.
Aktivistët e Nisma Ime, nuk do të ndalen në përkrahjen e tyre për familjarët e personave të pagjetur, dhe përmes aksioneve simbolike do të mbajnë aktuale këtë temë derisa ajo të trajtohet me seriozitetin e duhur