Dje pasdite në lumin Lepenc është gjetur trupi i pajetë i policit Malsor Dashi, i cili së bashku me kolegun e tij Armend Trena me veturën zyrtare të shtunën kanë rënë në ujë.
Që nga ajo ditë njësitet e FSK-së, Policisë dhe të zhytësve kanë bërë kërkime në ujë por deri dje nuk është gjetur trupi i asnjërit.
Ndërkohë që nga Policia dhe mekanizmat tjerë bëhet e ditur se kërkimet do të vazhdojnë edhe për policin tjetër.
Trupi i policit Dashi është gjetur pesë kilometra larg vendit ku kishte ndodhur aksidenti.
Policia thotë se edhe më herët kanë pasur dyshime se në këtë lokacion mund të gjendet trupi i njërit nga policët.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Ferizaj, Agim Gashi, tha se kishin dyshim se në këtë lokacion mund të gjendet diçka.
Trupi i pajetë i Malsor Dashit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Kryeprokurori i Prokurorisë themelore të Ferizajt, Shukri Jashari tha se nga shikimet e para të kufomës bëhet fjalë për aksident ndërsa hodhi poshtë për dyshime tjera. Ai sqaroi edhe pse në momentin kur është gjetur ka qenë pa rroba.
Për të kërkuar trupat e policëve në lum sot ka dalë edhe zhytësi profesional Ismajl Kasumi bashkë me ekipin e tij.
Ai tha se kjo është një punë profesionale e të gjithë zhytësve, të cilët kanë arritur të gjejnë trupin e njërit nga policët.
Sipas tij të gjithë punën për gjetjen e policit e ka ndihmuar një ekskavator që ka gërryer ujin vazhdimisht.
Kasumi ka thënë se do të vazhdojnë kërkimet për policin tjetër por shtoi se ai nuk është i sigurt nëse do të merr pjesë ndërsa beson se trupi i tij nuk është larg vendit ku është gjetur sot polici Dashi.
Në kërkim të dy policëve gjatë gjithë kohës ka marrë pjesë edhe kryeimami i xhamisë së Kaçanikut, Florim Neziraj.
Aksidenti ka ndodhur më 28 prill( të shtunën)n në magjistralen Han i Elezit-Kaçanik te vendi i quajtur “Kulla e Qeshmes” vetura e zyrtare e të cilëve bashkë me dy policët ka rënë në humnerë.