Perandori francez i shekullit 19, Napoleon Bonaparte, ka thënë “Ua kam frikën më shumë 4 gazetave opozitare se sa mijëra bajonetave”. Kjo shprehje erdhi fill pasi perandori mbylli 64 media në Francë duke nënkuptuar se shtypi ka fuqi shumë të madhe në opinionin publik dhe cënon pushtetin e më të fuqishmëve.
Sot në shekullin e 21, tre shekuj më vonë, në Shqipëri duket se demokracia po dobësohet teksa edhe ato pak gazeta që kanë ngelur, po mbyllen. Sulmi i paparalajmëruar ndaj gazetave “Panorama” dhe “Panorama Sport”, dëshmoi qartë fuqinë që ka pushteti i katërt, media.
Olsi Avidaj, kryeredaktori i “Panorama Sport” gjatë një interviste për “Vetting” shprehet tejet i zhgënjyer për situatën që u ndodhi gazetarëve të “News24”.
Avidaj paralelizoi regjimin dikatorial fashist të Musolinit, me regjimin e sotëm në Shqipëri ku shtypi është kthyer në vegël propagande dhe çdo formë e sotme e censurës ndaj mediave të lira është një rikthim i asaj logjike autoritare.
“Vetëm fashistët, iniciatorët e atyre që thyenin redaksitë e gazetave mund t’a bënin një gjë të tillë. Vetëm Musolini dhe ndonjë tjetër!”– u shpreh kryeredaktori Avidaj.
Më 9 gusht 2025, në zonën e ish-Uzinës së Traktorit në Shkozë në kryeqytet, Policia e Shtetit dhe ajo Ushtarake dhe kompania publike “KAYO” sha., ndërhynë në mënyrë të paligjshme, pa paralajmërim, pa vendim gjykate në godinën e medias shqiptare informative më të madhe në vend “News24”. Kjo bastisje nga forcat policore ngjalli një sërë emocionesh jo të mira fillimisht për punonjësit e Focus Media News.
“Ditën e parë që u ngjitëm në Shkozë, te ish-Uzina e Autotraktorëve, ishte një ndjesi negative, e hidhur, jo e mirë. Ishte njësoj sikur jam ngjitur herën e parë në atë godinë në vitin e largët 2003 kur televizioni News24 u zhvendos nga qendra e Tiranës në periferinë e Shkozës.”– u shpreh analisti Erl Murati.
Aksioni i policisë, i pasuar nga ndërhyrja e paligjshme e kompanisë shtetërore “KAYO” sha., nën pronësinë e Ministrisë së Mbrojtjes brenda zyrave të gazetarëve, ishte në sinkron me ‘spin doctor’ e qeverisë, të cilët filluan të analizojnë konfliktin midis kompanisë që zotëronte median dhe qeverisë, duke anashkaluar të drejtat e gazetarëve.
Ky rast me të cilin dhe gazetarët më të vjetër në profesion nuk janë hasur shpesh, ç’ka e bën ngjarjen më traumatike profesionalisht, ku sheh sesi shteti mund të përvetësojë sende e tua të punës dhe personale.
“Ishte vërtetë një moment shumë i vështirë i paprecedent, tronditës për të gjithë gazetarët edhe për mua personalisht si një nga gazetaret më të vjetra të News24. U përjetua prej nesh si një dhunë institucionale që nuk duhej kurrësesi të ndodhte.”– u shpreh Drejtoresha e Përgjithshme e News24, Anila Jole.
Njëjtë është shprehur dhe drejtori i “Panorama Online”, Fation Binjaku, duke e cilësuar rastin si të paprecedent dhe antiligjor.
“Atë mëngjes e mbaj mend shumë mirë një pjesë e madhe e stafit po përgatiteshin për të marrë pushimet e verës. Dhe vetëm kur fillojnë telefonatat, na njoftojnë që nuk i lejonin të hynin në redaksinë e lajmeve, pjesën tjetër te gazetareve i kishin nxjerrë me forcë nga godina.” – tha Binjaku.
Në pushtimin e godinës nga Policia janë evidentuar një sërë shkeljesh të ligjeve kombëtare dhe konventave ndërkombëtare ku Shqipëria bën pjesë, të cilat janë prova të pakundërshtueshme të dhunës dhe presionit shtetëror ndaj gazetarisë kritike.
“Na ndodhi komplet papritur, në mënyrë mizore edhe e gjithë përpjekja ishte të paralizohej dhe heshtin aktiviteti mediatik, i atyre mediave që ndodheshin në ato godina prej 22-23 vitesh”- u shpreh Drejtori i “BalkanWeb”, Leonard Quku.
Sulmi erdhi për shkak të denoncimeve dhe dosjeve që kanë trembur eksponentët e lidhur me zyrtarët më të lartë në qeverinë shqiptare. Redaksitë investigative në bashkëpunim me gazetarët e politikës, terrenit, median online dhe gazetat kanë demaskuar me fakte dhe prova se këta persona kanë abuzuar me fondet publike, kanë përfituar para nga buxheti i shtetit në shkelje të detyrës dhe kanë përdorur postin për përfitime personale dhe familjare.
Bllokimi i sinjalit nga qeveria shqiptare
Ndërhyrja e paligjshme te godina e “NeWs24” bllokoi jo vetëm televizionin, por gazetat më të mëdha në vend “Panorama”, “Panorama Sport” dhe mediat më të ndjekura online, BalkanWeb, Panorama Online, Panorama Sport Online dhe Gazeta Shqiptare Online.
Pas largimit të gazetarëve, dy ditë më pas, pasditen e 11 gushtit 2025, në muzg kompania shtetërore “KAYO” sha., hyri në ambientet e gazetarëve dhe filloi të prekë pajisjet e redaksive të “News24” dhe Panorama Group, kompjuterat, dosjet dhe sendet personale.
Pa njoftuar askënd, një pjesë e këtyre sendeve u dërguan në rezervat e shtetit. Ky veprim u krye natën në mënyrë të fshehtë, pa transparencë dhe pa respektuar të drejtat e gazetarëve dhe kjo u realizua me persona te dyshimte civil, te cilët ngarkuan materialet sensitive te redaksive ne kamionat e ushtrisë.
“Nuk mundet që një polici shteti apo një institucion tjetër, të vejë dhe të dhunojë një ambient qoftë edhe në posedim të një medie, duhet të drejtohen edhe ata institucioneve dhe organeve ligjzbatuese siç është Gjykata.”– tha për emisionin investigativ “Vetting” avokati Arben Llangozi.
Praktikisht dhe ligjërisht u shkelën disa nga të drejtat më themelore, të mbrojtura jo vetëm nga ligjet shqiptare, por edhe nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë sanksionohet qartë se liria e shtypit është e garantuar. Por kur gazetarët nxirren me forcë nga vendi i punës, kjo liri shkelet hapur.
Po ashtu, Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut e shprehin qartë se askush nuk mund të privohet nga prona e tij në mënyrë të paligjshme. Sekuestrimi i përkohshëm i kompjuterave dhe pajisjeve personale, pa një vendim të qartë gjyqësor dhe pa paralajmërim, është shkelje e të drejtës së pronës.
“Nuk është çështje godine, unë flas si gazetar, në tagrin e gazetarit, të punës time të përditshme për fjalën e lirë, për të qenë krahu dhe zëri i qytetarëve i halleve dhe problemeve të tyre për t’i transmetuar në media. Në rastin konkret mendoj që organet ligjzbatuese duhet të çojnë para përgjegjësisë ligjore personat përgjegjës duke nisur nga Ardi Veliu.”– tha gazetari Igli Çelmeta.
“Ai rrethim që i’u bë godinave të televizionit pa një vendim gjykate, pa një urdhër, pa një ekip përmbaruesish që ne të kishim me kë të flisnim, meriton një hetim të thelluar nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.”– tha drejtori i BalkanWeb, Leonard Quku.
Avokati Arben Llangozi thotë për “Vetting” se rasti është i paprecedent dhe i rrallë.
“Një shtet kur nuk zbaton vendimin e Gjykatës nuk mund të themi që kemi të bëjmë më me një shtet sepse edhe në kohën e diktaturës çdolloj vendimi gjyqësor ekzekutohesh, s’di me kë ta krahasoj sepse janë raste shumë të rralla”- u shpreh avokati Llangozi.
Një tjetër parim i rëndësishëm është e drejta për një proces të rregullt ligjor. Çdo veprim duhet të bëhet me vendim gjykate dhe të zbatohet vetëm nga përmbaruesit gjyqësorë. Në këtë rast, Policia e Shtetit dhe kompania shtetërore vepruan jashtë këtyre rregullave. Ky fakt e kthen të gjithë aksionin në një ndërhyrje arbitrare. Edhe ligji shqiptar për median audiovizive e thotë shprehimisht se autoritetet publike duhet të garantojnë kushte të lira pune për median, jo të hyjnë me forcë dhe ta bllokojnë atë.
“Të gjithë janë në një presion të madh, ku pushteti ekzekutiv ka prevaluar mbi të gjitha pushtetet e tjera dhe arrin të marrë guximin të bëjë presion dhe te pushtetet e tjera, ku me kushtetutë secili duhej të ishte i pavarur. Në këto kishte kemi pushtetin më të fortë që dominon.”- u shpreh gazetari Klevin Muka.
Por, shkeljet nuk mbarojnë këtu. Dokumentet ndërkombëtare, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut apo Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, mbrojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të informuar publikun. Duke i përzënë gazetarët nga vendi i punës dhe duke u marrë pajisjet, këto të drejta u shkelën në mënyrë flagrante.
“Është cenuar shumë liria e medias pas këtij veprimi sepse kushdo që do të dojë të kritikojë qeverinë apo të bëjë artikuj, emisione kritike, siç keni qenë dhe ju të Vetting që keni pasur me dhjetra investigime kritike me qeverinë, do të mendohet dy herë para se ta bëjë sepse ja çfarë ndodh kur ti kritikon qeverinë dhe bën gazetari të ndershme, me fakte dhe duke denoncuar afera korruptive apo lidhjet e krimit të organizuar me qeverinë”– u shpreh gazetari Renaldo Salianji.
Kjo histori nuk është thjesht një konflikt administrativ. Është një shkelje e rëndë e të drejtave themelore të gazetarëve. U cenua liria e shtypit, e drejta e pronës dhe e drejta për një proces të rregullt ligjor.
“News24” është nën pronësinë e një kompanie private, por mijëra probleme të qytetarëve kanë marrë zë nga mbulimi gazetarëve të kronikës apo emisioneve televizive.



