Spasovski komenton deklaratën e Ageler

Gazetare: Fatlume Dervishi

Ministria e Punëve të Brendshme ka vepruar, por nevojitet konsolidim i sistemit të gjykimit dhe llogaridhënies, thotë ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, i pyetur për deklaratën e ambasadores amerikane Angela Ageler, e cila tha se sistemi dështoi të mbrojë Vanjën 14 vjeçare, shkruan Alsat.

Spasovski drejtoi përgjegjësinë te prokuroria dhe gjyqësori.

“Për këtë mund të nxirren të dhëna dhe informacione konkrete sa u takon veprimeve edhe të njërit institucion edhe të institucionit tjetër. Unë ju siguroj për veprimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe këtë mund ta vërtetojmë me numra. I gjithë sistemi duhet të konsolidohet sa u takon hetimeve, gjykimeve dhe sa i takon vuajtjes së dënimit. Të mos na ndodhë që kur Ministria e Punëve të Brendshme t’i arrestojë, për shkurt kohë t’i shohim ato njerëz në shtëpi, ose pa u caktuar masa përkatëse, ose pa vuajtur dënimin, etj”, tha Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.

Dështim të institucioneve e quajti ambasadorja amerikane Angela Ageler vrasjen tragjike të të dy viktimave, Vanja Gjorçevska 14 vjeç dhe Pançe Zhezhovskit 74 vjeç, ditë më parë. Sipas saj, lëshimi është bërë nga organet e rendit dhe drejtësisë.

“Sistemi dështoi ta mbrojë atë vajzë të vogël. Ato janë kriminelë, janë njohur si kriminelë, kriminelë të dhunshëm që nuk ishin në burg. Nuk ishin arrestuar më herët dhe nuk ishin burgosur, nuk kishin pasur ndjekje të plotë penale për krimet e tyre të mëhershme, nuk e kanë paguar çmimin e veprave të tyre dhe atë e pagoi vajza e vogël, e pagoi Vanja. Është absolutisht shumë e dhimbshme dhe nuk është koha për politizim por është koha që institucionet e vendit të shikojnë veten me zemër të ftohtë dhe të pyeten se çfarë mund të kishim bërë më shumë për ta mbrojtur këtë vajzë të vogël dhe çdo fëmijë tjetër të vogël në këtë vend”, theksoi Angella Ageler, Ambasadore e SHBA-së.

I dyshuari kryesor për vrasjen e dy personave, Lupço Palevski – Pallço ndodhet në burgun ekstradues në Turqi. Për të në vend ka pasur disa padi kundërvajtëse por edhe padi penale prej më herët. Për to, ai kurrë nuk ka mbajtur përgjegjësi juridike ose penale. / Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme