Specializantët privat kanë mbetur pa pagesën e kujdestarisë që nga muaji shkurt i këtij viti, shkruan Alsat.
Sipas një reagimi të Shoqatës së Mjekëve Specializantë, kjo pagesë është ndërprerë nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, ndërkaq përmes po këtij reagimi ata i drejtohen direkt kryeministrit Dimitar Kovaçevski që të përfshihet në tejkalimin e këtij problemi.
“Heqja e kësaj mase në praktikë nënkupton dëbimin e mjekut të ri nga vendi si dhe një nxitje negative për studentët e mjekësisë për të vazhduar shkollimin brenda vendit. I bëjmë apel kryeministrit dhe të gjitha institucioneve kompetente që të gjejnë zgjidhje për këtë problem që buron nga reagimi vetjak i individëve në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore të Maqedonisë, të cilët nuk i shohin pasojat e këtij vendimi, duke vënë interesat personale para shëndetit të qytetarëve”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Mjekëve Specializantë.
Sipas po këtij reagimi, sqarohet se prej pesë viteve të fundit, si projekt i qeverisë së atëhershme për parandalimin e eksodit masiv të mjekëve, ka filluar pagesa e shumëpritur dhe e merituar e kompensimit monetar për punën e bërë nga praktikantët në klinika.
“Vitin e kaluar, në kulmin e pandemisë më të madhe me Covid-19, kolegët e rinj u përfshinë aktivisht dhe pa rezerva në punën e Qendrave Covid në të gjithë vendin. Duke e vënë veten në ballë të interesave të pacientëve. Në përgjigje të kësaj, Ministria e Shëndetësisë filloi me pagesën e shtesave për detyrë dhe sigurime shëndetësore të kësaj kategorie mjekësh. Që prej muajit shkurt, pa asnjë sqarim është ndërprerë pagesa e detyrimit nga FSS, pavarësisht se kursantët kanë lidhur marrëveshje me klinikat për pagesën e tarifës për punën e tyre”, thuhet tutje në një reagim.
Në lidhje me këtë, Alsat WEB, ka kontaktuar ditë më parë edhe Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, të cilët kanë thënë se këto detyrime ju përkasin klinikave ku janë të punësuar specializantët./ Alsat.mk