Që nga arrestimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka pasur shumë debate dhe diskutime lidhur me mandatin dhe legjitimitetin e Gjykatës Speciale.
Po thuajse, çdo ditë ka pasur deklarata kundër Speciales, madje edhe prej atyre ku kanë kërkuar mbylljen e saj dhe lirimin e të arrestuarve.
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” u shpreh se nuk e sheh të arsyeshëm lirimin apo transferimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit në Kosovë. Ai tha se ky është vetëm fillimi i arrestimeve të Speciales.
“Në këto momente vendimtare, unë nuk e shohë aspak reale, lirimin e të akuzuarve, kur kjo gjykatë vetëm sa ka nisur arrestimin e të akuzuarve, dhe as transferimin e saj në Kosovë, nëse të akuzuarit nuk shpallen të pafajshëm dhe vërtetohet panevojshmëria e ekzistimit të Gjykatës në fjalë”, deklaroi Qarri.
Ai tha se njësoj siç thuhet se Gjykata Speciale mund të jetë krijuar nga shërbimet serbe dhe ruse, po ashtu më vonë mund të rezultojë se edhe ndonjë i akuzuar ka qenë bashkëpunëtor shumëvjeçar i këtyre shërbimeve sekrete.
“Sado që është plotësisht e vërtetë se ajo u krijua nga shërbimet serbe dhe ruse, mund të dalin po ashtu edhe disa nga të akuzuarit, si bashkëpunëtor të denjë shumëvjeçar të shërbimeve sekrete serbe, ruse e atyre franceze, apo edhe shërbimeve tjera të huaja”, theksoi Qarri.
Në fund, Qarri bëri kërkesë që të mos paragjykohen Dhomat e Specializuara të Hagës, por të ruhet qetësia dhe të përcjellën me vëmendje proceset e gjykimit të të akuzuarve.
“E përderisa Dhomat e Specializuar vetëm sa kanë filluar punën, urtësia na fton, jo të paragjykojmë por të përcjellim me vëmendje proceset, sepse ka ardhur momenti që përfundimisht, jo ne si individ, por koha dhe zhvillimi i gjykimeve t’i dëshmojë më së miri të gjitha, nga të cilat shumë nga të arrestuarit mund të përfundojnë të dënuar, ndërsa ndoshta edhe ne si popull, të turpëruar”, përfundoi Qarri.