EMISIONI VETTING
Çfarë ndodh me spitalet psikiatrike larg kryeqytetit?
Në monitorimin e vitit 2018 rezulton se Spitali psikiatrik “Sadik Dinçi” Elbasan ka një kapacitet prej 310 shtretërish dhe pavarësisht popullsisë së zonës së mbulimit, ku përfshihen qarqet Elbasan, Durrës, Korçë dhe Lushnjë, duket se edhe në vitin 2024 nuk është shtuar asnjë shtrat duke e lënë numrin maksimal të kapacitetit 310 pacientë, 50 prej të cilëve janë të akomoduar duke krijuar probleme të mbipopullimit të spitalit dhe mungesës së shërbimeve.
Ky spital i ka kushtet shumë të këqija dhe kjo duket qartazi nga tualetet me lagështirë dhe kushte jo të mira higjieno-sanitare.
Ndërkohë në Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë problematikë shumë e madhe është dërgimi i personave abuzues me substancat narkotike dhe alkoolin pasi spitali nuk ka kapacitet infrastrukturor dhe as burimet njerëzore për ofrimin e një shërbimi të specializuar për këtë kategori personash.
Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit thuhet që spitali Psikiatrik i Elbasanit dhe ai i Vlorës nuk kanë arritur të zgjidhin problemet e pacientëve rezidentë kronikë të vendosur pranë këtyre dy spitaleve, nuk kanë rishikuar rregulloret, nuk kanë garantuar fonde dhe infrastrukturën e nevojshme për akomodimin e pacientëve.
Në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor ofrohet Shërbimi i Shëndetit Mendor me Shtretër Shkodër. Por, njësoj si spitalet psikiatrike të tjera edhe ky institucion nuk i përmbush kriteret e të qenit një institucion që ofron shërbim cilësor. Ky spital nuk ka dhoma izolimi, po as mjetet e parashikuara të kufizimit fizik gjë që ia vështirëson punën mjekëve.
Sipas raportit të Avokatit të Popullit, në këtë njësi thuhet se ka mungesë të juristëve për të përfaqësuar të dënuarit me masa mjekësore që ka sjellë si pasojë mbajtjen e paligjshme në spitalet civile, pavarësisht vendimeve gjyqësorë.
Me rritjen e të numrit të personave që i drejtohen psikologut, psikiatrit duket se nuk është reflektuar njësoj edhe për specialistët, ku spitalet gjenden në mungesë të burimeve njerëzore dhe financiare duke çuar kështu në mungesë të shërbimeve cilësore.
Raporti numër pacient-staf sipas modelit Italian është një mjek psikiatër duhet të kujdeset vetëm për rreth 10 – 15 pacientë apo një psikolog për 20 – 30 pacientë.
Por pavarësisht standardeve dhe mundësisë për t’u kujdesur denjësisht për secilin pacient në Shqipëri, dy prej spitaleve më të populluara atë të Elbasanit dhe Vlorës, vërehet se raporti nr. pacientësh/staf është problematik.
Pavarësisht trajtimit falas në institucionet shtetërore, pacientët zgjedhin t’i drejtohen privatit sepse më anë të pagesës blejnë konfidencialitetin e të dhënave që zgjedhin të ndajnë më specialistin, por edhe besojnë së shërbimet janë më cilësore.
Fondet e Spitalit Psikiatrik të Elbasanit nën dyshime për korrupsion
Teksa të drejtat e njeriut shkelen pasi qeveria shqiptare pretendon ose është e paaftë të sigurojë fonde për të ndërtuar një institucion të posaçëm për këta persona, fondet për tenderat tregojnë se mungesa e parave është një pretekst për t’i spostuar diku tjetër.
Kontratat publike që kanë tërhequr vëmendjen e “Vetting” janë tenderat për ngrohjen dhe lavanderinë në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit.
Disa nga tenderat që janë fituar nga kompania “FA & BI” shpk në pronësi të Vasil Fanit kanë patur mungese gare dhe indicie për favorizim sipas “Openprocurement.al”.
Në prill 2019, kjo kompani ka marrë pjesë në tenderin “Blerje lende djegese për ngrohje (briket pellet) marrëveshje kuadër, të cilin e ka fituar me ofertën 18,8 milionë lekë ose 19 mijë euro duke i siguruar mbrojtje për 24 muaj spitalit psikiatrik të Elbasanit.
Në garë mori pjesë edhe kompania “Sulollari -Klima”, e cila nuk bëri ofertë ekonomike duke u shpallur automatikisht fituese “FA & BI” shpk.
Një tender tjetër që ka dyshime për favorizim për të njëjtën procedurë është lidhur me tenderin e shpallur në 19 janar 2018. Sipas Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, kjo marrëveshje kuadër me afat 12 mujor është anulluar sepse asnjë nga ofertat ekonomike nuk plotësonte kushtet për të fituar tenderin
Në 21 shkurt 2018 rishpallet thirrja për tenderin duke i fituar përsëri nga kompania “FA & BI” shpk në pronësi të Vasil Fanit, e cila kishte përsëri si konkurrent kompaninë “Sulollari -Klima” shpk, që nuk bëri ofertë ekonomike.
Ka qenë Avokati i Popullit që ka tërhequr vëmendjen për kushtet e ngrohjes në Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan. Sipas raportit të publikuar në shtator 2018, në këtë spital nuk ka ngrohje për pacientët.
Nga kërkimet e “Vetting” rezulton se për këtë periudhë tenderat janë fituar nga kompania “FA & BI” shpk. Në disa nga kontratat për ngrohjen theksohet se kompania nuk duhet të sigurojë vetëm materialet për ngrohje, por duhet të ketë edhe 3 kaldaja palleti që do të instalohen edhe te dy qendrat e tjera në varësi nga vetë kompania, për të mbuluar nevojat e 350 pacientëve në spital.
Por teksa kontratat publike për ngrohjen nuk sigurojnë ngrohje për pacientët, janë tenderat e lavanderisë ata që kanë ngritur pikëpyetje të mëdha me higjienën dhe mënyrën se si janë realizuar procedurat për përfitimin e kontratave të majme publike.
Në 13 korrik 2020, Spitali Psikiatrik i Elbasanit hapi thirrjen për tenderin “Shërbim Hotelerie dhe Lavanderie per Spitalin Psikiatrik Sadik Dinçi Elbasan dhe qendrat në varësi” marrëveshje Kuadër me fond limit 158 milionë lekë.
Në tender do të merrnin pjesë disa kompani, por fitues u shpall kompania “ABI’S” shpk ish “Devis” në pronësi të Kristinka Leka me ofertën 157 milionë lekë ose 1.5 milionë euro për 48 muaj.
Tenderi përfundoi në Komisionin e Prokurimeve Publike pasi kompania “Sanitary Cleaning” shpk bëri ankesë për arsyet e skualifikimit.
Gara u shënua me flamur të kuq nga “Openprocurement.al” sepse Komisioni i Vlerësimit të Ofertave skualifikoi të gjitha kompanitë konkurruese, si edhe ofertën më ekonomike nga “Sanitary Cleaning” shpk duke e shpallur automatikisht fituese “ABI’S” shpk ish “Devis”.
Por pse jemi ndalur te tenderat e lavanderisë?
Përveç indicieve për korrupsion dhe favorizim, sipas raportit nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për periudhën mars-qershor 2018, në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, u vërejt se pacientët kronikë të akomoduar në Pavionet IV dhe V nuk kishin kushte të mira të higjienës personale. Edhe në këtë periudhë, Spitali kishte lidhur kontratë me “ABI’S” shpk “Ish Devis”, për periudhën 2016-2020 me vlerë 125 milionë lekë. Ky tender do të shfaqte indicie për garë të paracaktuar pasi morën pjesë edhe 4 kompani të tjera, nga të cilat asnjëra nuk bëri ofertë duke u shpallur automatikisht fituese “ABI’S” shpk.
Në 29 korrik 2024 ky spital shpalli fituesin pa njoftim për kompaninë “ABI’S” shpk në pronësi të Kristinka Lekas, për kontratën me negocim “Shërbimi Lavanderisë Dhe Hotelerisë” me vlerë 9.7 milionë lekë ose 97 mijë euro.
Edhe ky tender u shënua me flamur të kuq pasi këto procedura janë kritikuar nga nga Agjencia e Prokurimeve Publike sepse nuk kanë patur kushte emergjence dhe rrjedhimisht ka dyshime për korrupsion.
Megjithatë skandali në këtë rast lidhet me faktin se në 31 dhjetor 2020 i njëjti spital ka lidhur kontratën për 48 muaj për shërbime lavanderie deri në fund të dhjetorit 2024 me të njëjtën kompani, ndërkohë që duke patur një kontratë paralele me “ABI’S” shpk ka lidhur një kontratë 3 mujore, e cila dyshohet se është një procedurë antiligjore.
Por ky është vetëm njëri nga problemet sepse në 16 shtator 2024, ky spital shpalli fitues përsëri për tenderin “Shërbim i Lavanderise dhe hotelerise për Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi” Elbasan dhe qendrat në varësi të tij” me vlerë 311 milionë lekë ose 3.1 milionë euro me afat 48 muaj për Marrëveshjen Kuadër kompaninë “ABI’S” shpk ish “Devis”.
Në garë nuk mori pjesë asnjë kompani përveç kësaj të fundit, e cila u shpall automatikisht fituese.
Megjithatë duke krahasuar vlerat monetare për tre tenderat, atë të vitit 2020 me vlerë 157 milionë lekë për 48 muaj, tenderin 3 mujor me vlerë 9.7 milionë lekë dhe tenderin e vitit 2024 me vlerë 311 milionë lekë për 48 muaj zbulon se shifrat kanë ndryshime të rëndësishme.
E njëjta marrëveshje për vitin 2020 dhe 2024 është dyfishuar në vlerë, të cilën nëse e marrim mesatarisht rezulton se vlera mujore nga 3.2 milionë lekë ka shkuar në 6.4 milionë lekë.
Por në tenderin e emergjencës 3 mujore, vlera mesatare mujore në vitin 2024, në të njëjtin tender që është realizuar së fundmi rezulton 3.2 milionë lekë, sa vlera e tenderit të 2020.
Si është e mundur që për të njëjtën periudhë kemi një mesatare mujore të ndryshme?
Madje ka një problem tjetër që edhe pse numri i pacientëve rezident ngelet konstant dhe numri i infermierëve është ulur, volumi i peshës së rrobave dhe ndërresave që do lahen është shtuar.
Kompania “ABI’S” shpk ish “DEVIS” është një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave në sistemin shëndetësor dhe vazhdimisht ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të faktit se disa nga tenderat e fituar janë denoncuar në Komisionin e Prokurimeve Publike. Nga kërkimet e “Vetting” Kristinka Leka ka një kompani tjetër “ENEA GROUP shpk” në ortakëri me ish deputetin socialist Mezan Malaj dhe Elidon Tasho, i cili ka qenë pjesë e Asamblesë së Partisë Socialiste.
Prej vitesh Kontrolli i Lartë i Shtetit, Avokati i Popullit dhe një numër i lartë organizatash kombëtare dhe ndërkombëtare kanë konstatuar probleme serioze përsa i përket kushteve dhe trajtimit të pacientëve të dënuar me probleme të shëndetit mendor.
Në një shtet që i ka lënë shtresat më të varfra të varfërohen përditë e më shumë, kërkohet një revolucion kulturor pasi mungesa e humanizmit me më të dobëtin pasqyron rënien e shtetit në shërbim të korrupsionit dhe interesave të oligarkisë.