“Spiunimi” bëhet i lejueshëm me ligj! Çfarë pritet të ndodhë në administratën shqiptare

Institucionet publike, që kanë mbi 80 të punësuar dhe bizneset, që kanë mbi 100 punonjës, duhet të kenë ngritur tashmë strukturën e “spiunazhit”.

Institucionet dhe përfaqësuesit e bizneseve kanë pasur afat deri më 15 korrik për të dërguar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, gjeneralitetet e personave të përzgjedhur.

Një udhërrëfyes i hartuar nga Koalicioni i Europës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, zbulon edhe mënyrën se si do të funksionojë marrëdhënia nga sinjalizuesit dhe deri te verifikimi i informacionit.

Rastet që do të sinjalizohen do të lidhen me korrupsionin, shpërdorimin e detyrës. Ushtrimit të ndikimeve të paligjshme në kryerjen e detyrave ose marrjen e vendimeve apo shpërdorimin e të ardhurave të buxhetit.

Sinjalizuesit do të jenë punonjës të institucionit publik, por edhe atij privat dhe do të paguhen nga këta të fundit dhe gëzojnë status dhe mbrojtje të veçantë me ligj.

A mund të sinjalizoj nëse jam i punësuar në sektorin privat?

Ligji për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesit është i zbatueshëm, qoftë në sektorin publik, ose privat. Akte korruptive, të cilat dëmtojnë interesin publik, mund të kryhen si në sektorin publik ashtu edhe atë privat.

Ku mund ta bëj sinjalizimin?

Nëse gjatë punës viheni në dijeni të veprimeve ose praktikave të korrupsionit, sinjalizimin mund ta bëni te njësia përgjegjëse brenda institucionit publik ose ndërmarrjes private ku punoni ose tek ILDKPI. Sinjalizimi kryhet te njësia përgjegjëse dhe brenda institucionit publik ose ndërmarrjes private quhet sinjalizim i brendshëm. Sinjalizimi i kryer tek ILDKPI quhet sinjalizim i jashtëm.

A mund të sinjalizoj një akt korrupsioni në një institucion ose ndërmarrje të ndryshme nga ajo ku punoj?

Po. Nuk përjashtohet që të sinjalizoni për një akt korrupsioni të një institucioni publik apo ndërmarrjeje private të ndryshme nga ajo në të cilën punoni.

Çfarë detyrimesh ka një- sia përgjegjëse për sinjalizimin?

Njësia përgjegjëse brenda institucionit publik ose ndërmarrjes private, e cila mund të përbëhet nga një ose më shumë punonjës, ka për detyrë të shqyrtojë nëse mbas sinjalizimit do të kryhet hetimi administrativ, si dhe të shqyrtojë kërkesën e sinjalizuesit për mbrojtje, nëse sinjalizuesi e kërkon.

Në ç’formë mund ta bëj një sinjalizim?

Sinjalizimin mund ta bëni me shkrim ose me gojë përpara punonjësve të njëjësisë përgjegjëse brenda institucionit publik apo ndërmarrjes private ose tek ILDKPI.

A mund të bëj një sinjalizim nëpërmjet telefonit ose e-mailit?

Ligji për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve parashikon se sinjalizimi mund të bëhet me çdo mjet komunikimi. Kjo presupozon edhe komunikimin elektronik. Megjithatë, që sinjalizimi të quhet i vlefshëm, nevojitet që sinjalizuesi të kontaktojë fizikisht punonjësit e njësisë së brendshme të sinjalizimit ose të ILDKPI-së.

A mund të sinjalizoj në mënyrë anonime?

Ju mund të zgjidhni të sinjalizoni në mënyrë anonime dhe sinjalizimi të pranohet, nëse arsyetoni shkaqet e anonimatit dhe nëse të dhënat e sinjalizuara përbëjnë një bazë të mjaftueshme për të hetuar administrativisht veprimin ose praktikën e dyshuar të korrupsionit.

A mund ta denoncoj te një punonjës policie, në vend të sinjalizimit?

Në thelb, sinjalizimi është e njëjta gjë si dhënia e informatave mbi një akt korruptim një punonjësi policie apo dhe gazetari. Megjithatë, ka një dallim ndërmjet të dyjave. Nëse do të bëni një sinjalizim sipas ligjit, njësia përgjegjëse ku keni kryer sinjalizimin, ka për detyrë që të përfundojë një hetim administrativ të sinjalizimit sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 60 ditë nga data e fillimit të hetimit. Ndryshe nëse e raportoni në polici, nuk është e detyrueshme që policia të veprojë mbi informacionin e dhënë.

A ka kushte për një sinjalizues që të mbrohet nga ligji?

Po. Në raportimin e një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni, sinjalizuesi duhet të ketë motive të pastra dhe të ndershme dhe arsye për të besuar se informacioni i raportuar është i vërtetë.

A mund të paditem për kryerjen e një sinjalizimi të pasaktë?

Në rast se nga shqyrtimi paraprak i sinjalizimit, një- sia përgjegjëse ose ILDKPI konkludojnë se sinjalizuesi nuk ka vepruar në kushtet e mirëbesimit, apo se sinjalizimi nuk është depozituar sipas procedurës së kërkuar, atëherë vendosin për mosfillimin e hetimit administrativ. Ky vendim nuk sjell pasojë për sinjalizuesin. Një sinjalizues mund të paditet nëse sinjalizimi përmban informacionin të klasifikuar dhe sinjalizuesi është përgjegjës për zbulimin e sekretit. Po kështu, sinjalizuesi mund të rrezikojë të paditet nga i sinjalizuari, nëse sinjalizimi është kryer në mënyrë abuzive ose shpifëse.

A mund të më detyrojë punëdhënësi të nënshkruaj ndonjë akt që më ndalon sinjalizimin?

Sipas ligjit, nënshkrimi i çdo akt-marrëveshjeje, që përjashtohen ose kufizohen të drejtat dhe mbrojtjen e sinjalizuesit, është i pavlefshëm. Të drejtat e sinjalizuesit kanë epërsi ndaj marrëveshjeve të konfidencialitetit ndërmjet punëdhënësit dhe punë- marrësve.

Cilat janë përgjegjësitë e punëdhënësit në lidhje me sinjalizimin?

Fryma e ligjit kërkon nga punëdhënësi që të krijojë një mjedis të hapur, transparent dhe të sigurt, ku punonjësit të ndihen të motivuar dhe të sigurt për të sinjalizuar, nëse konstatojnë akte korruptive. Për të lehtësuar sinjalizimin, ligji parashikon që institucionet publike dhe ndërmarrjet private të miratojnë rregullore të brendshme të posaçme për procedurën e shqyrtimit të hetimit administrativ të sinjalizimit dhe mekanizmat e mbrojtjes së konfidencialitetit.

Edhe institucioneve të sigurisë së lartë u duhen sinjalizuesit

Institucionet e Sigurisë së lartë, të cilat qarkullojnë informacione të klasifikuara apo sekrete, nuk do të jenë të përjashtuara nga detyrimi ligjor për të pasur sinjalizues brenda tyre. Sipas ligjit për sinjalizuesit, këto institucione nuk janë të përjashtuara nga risku i akteve korruptive të mundshme, ndaj parashikon edhe detyrimin për të pasur sinjalizues edhe brenda institucioneve të Sigurisë së Lartë. Ligji parashikon edhe mënyrën sipas të cilës do të mbrohet informacioni sekret.

Për të mbrojtur informacionin e klasifikuar sekret, ligji parashikon detyrimin e sinjalizuesve dhe njësive përgjegjëse për të ruajtur sekretin shtetëror si gjatë marrjes së sinjalizimit, ashtu edhe gjatë hetimit apo mbrojtjes së sinjalizuesit. Të dhënat personale të sinjalizuesve, në dokumentacionin e mbajtur prej tyre, ruhen për një periudhë 60 ditë mbas marrjes së vendimit për përfundimin e hetimit administrativ./Panorama

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme