‘Spote pro-serbe në platformën Artmotion’, Sopa: Kanale të kontrolluara nga Vuçiç po glorifikojnë terroristët

Propaganda serbe e dirigjuar nga presidenti Aleksandar Vuçiç dyshohet se po depërton në familjet kosovare përmes platformës televizive “Artmotion”. Sipas burimeve, thuhet se kanalet që shfaqen në këtë platformë janë të kontrolluara drejtpërdrejt nga presidenti i Serbisë, duke e shndërruar shërbimin kabllor në një mjet për përhapjen e narrativave të Beogradit.

Akuza më e rëndë lidhet me një ngjarje skandaloze pas sulmit terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë heroi i Kosovës, polici Afrim Bunjaku. Raportohet se vetëm pak ditë pas sulmit, në kanalet e “Arena Sport”, pjesë e paketës së “Artmotion”, janë transmetuar spote që glorifikonin terroristët përgjegjës për sulmin. Ky veprim është cilësuar si i papranueshëm dhe një provokim i hapur.

 Pas publikimit të lajmit për këtë incident, pati një reagim nga organet e sigurisë në Kosovë dhe platforma u mbyll për një periudhë të shkurtër. Megjithatë, ajo është rikthyer sërish në operim dhe vazhdon të transmetojë në të gjithë territorin e vendit, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mbikëqyrjen e përmbajtjes mediatike.

I ftuar ditën e sotme në ‘Kafe Shqeto’ gazetari Jeton Sopa u shpreh se konteksti i këtij operimi lidhet edhe me marrëveshje të mëhershme politike.

Prania e kompanive serbe si MTS në zonat me shumicë serbe në Kosovë bazohet në një marrëveshje të arritur në vitin 2015 mes ish-presidentit Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiqit, si pjesë e dialogut të Brukselit.

Deklarata për ‘Kafe Shqeto’:

“Në Kosovë, të gjithë, të paktën të gjithë konsumatorët që kanë pasur shërbimet e Artmotion, domethënë në familjet e tyre, është futur dhe sipas mendimit tim, vazhdon të futet propaganda serbe e udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç dhe e kontrolluar prej tij.

Të gjitha mediat që shfaqen në këtë platformë janë të kontrolluara nga presidenti i Serbisë.

Para dy vitesh, unë u trondita dhe më dukej e pabesueshme, sepse nuk kam pasur këtë operator në familjen time, por kur ndodhi aksioni terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë heroi ynë, polici Afrim Bunjaku, pas një ose dy ditësh, pikërisht në platformën Artmotion, përmes kanaleve të Arena Sport, u shfaqën spote glorifikuese për terroristët e Banjskës.

Për mua kjo ka qenë skandaloze dhe menjëherë publikova lajmin, ku më pas reaguan edhe organet tona të sigurisë. Në atë kohë, platforma u mbyll për një periudhë, por tani është në operim dhe vazhdojnë të transmetohen edhe në Kosovë.

Kjo është pjesërisht rezultat i një marrëveshjeje që ka qenë në vitin 2015 mes presidentit Thaçi dhe Daçiqit.

Praktikisht, MTS-i është i pranishëm në Kosovë, veçanërisht në vendet me shumicë serbe, dhe kjo është e rregulluar edhe me marrëveshjen e Brukselit”.

 

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme