Statistikat, 32 gra u vranë në 2 vite, 90% viktima të burrave/ Gruaja e dhunuar rrëfehet për Vetting: S’e dija që dhunohesha kaq barbarisht!

EMISIONI VETTING


Tërmeti i vitit 2019 me magnitudë 6.4, ishte një ndër goditjet më të papritura për Shqipërinë, ku më të prekurit ishin personat në zonën e Shqipërisë së Mesme.

Ndër këto dëme materiale më shqetësueset kanë qenë shembjet e banesave, ku qindra familje u detyruan të zhvendosen përkohësisht në një banesë tjetër, tek familjarët e tyre apo me qira.

Por çfarë ndodhi me pronarët e shtëpive që u dhuruan nga shteti?

Pronësitë e paluajtshme që janë përfituar me programet e rindërtimit të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 kanë kaluar dhe do të kalojnë nëpërmjet kontratës së dhurimit. Konkretisht, këto kontrata do të realizohen ndërmjet palës dhuruese, institucionit shtetëror përgjegjës që në këtë rast është Bashkia dhe palës pranuese, që janë qytetarët.

mjeku shkeqlim ahmetaj

Për mjekun Shkëlqim Ahmetaj: “Zgjidhja vjen nga shkëputja totale e dhunuesit me të dhunuarin dhe krijimi i hapësirave për familjen  për nënën dhe fëmijët e dhunuar, që të ketë zgjidhje, që të mos jenë sidomos në atë konfliktin pronësor që thamë.”

Sipas raportit nga Avokati i Popullit është shqetësuese mungesa e klauzolave, të cilat garantojnë respektimin e Barazisë Gjinore në përfitimin e pronësisë.

“Kur në datën e dëmtimit të banesës nga tërmeti, më 26.11.2019, ai ka statusin civil “i martuar”, kalimi i pronësisë nëpërmjet kontratës së dhurimit vetëm në emër të njërit prej bashkëshortëve, sjell cenimin e prezumimit ligjor të bashkëpronësisë bashkëshortore, për shkak se kjo pasuri do të konsiderohet pasuri vetjake e atij bashkëshorti që nënshkruan kontratën.” thuhet në raport.

Dhurimi është një kontratë me anë të së cilës, njëra palë i kalon në pronësi pa shpërblim palës tjetër një send të caktuar ose një të drejtë reale të cilat kjo i pranon.

Në këtë mënyrë kjo pasuri konsiderohet pasuri vetjake e përfituesit të pasurisë dhe në rast konflikti familjar, divorcit ose në rast transaksioni të asaj pasurie, përfituesi i saj (kryefamiljari) e tjetërson pasurinë i vetëm pa marrë pëlqimin e bashkëshortes.

NDIHMA JURIDIKE FALAS

Në momentin që një grua bëhet viktimë e dhunës nga bashkëshorti ose partneri, ajo tenton të gjejë një shteg të sigurtë për t’i shpëtuar abuzuesit duke e denoncuar në Policinë e Shtetit.

Kur kjo grua kërkon të ndahet nga bashkëshorti, ajo duhet të fillojë procedurat për zgjidhje martese, ku zakonisht nuk ka mbështetje ekonomike dhe familjare për të ndjekur financiarisht divorcin me asistencë ligjore.

“Vetting” monitoroi disa nga seancat pranë Gjykatës  dhe zbuloi se gratë vinin pa avokat, ndërkohë që dhunuesi vinte me përfaqësues ligjor.

“Familjet shqiptare edhe kur e vendos femra vetë nuk e mbështet që të ndahet se thotë: “ti vetë vendose, edhe kur s’vendos vetë ka atë bobobo shoqëria. Gjithmonë hy tek ajo kategori që një femër që ndahet është e pamoralshme”- shprehet gruaja e që ka provuar mbi kurrizin e saj dhunën.

Ndihma Juridike Parësore e cila ofrohet falas nga shteti nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë, është ai lloj shërbimi, i cili këshillon dhe ndihmon viktimën/paditësin kujt institucion t’i drejtohet dhe cilat hapa të ndjekë.

Në këtë rast, disa nga viktimat kanë marrë ndihmë juridike falas, por ky proces paraqet sfidat e veta. Institucionet formale mbeten e vetmja alternativë, ku viktima drejtohet me qëllim zgjidhjen e konfliktit.

Jo pak herë këto gra nuk i drejtohen këtyre institucioneve për dy arsye, e para sepse nuk kanë asnjë siguri se duke e denoncuar abuzuesin, ai do të dënohet dhe e dyta për shkak të kostove që proceset gjyqësore kanë.

Që personat të jenë përfitues në mënyrë të drejtpërdrejtë, pavarësisht të ardhurave dhe pasurisë së tyre ligji ka përcaktuar disa kritere ku personi mjafton të vërtetojë që është viktimë e një lloj dhune dhe personat që bëjnë pjesë në kategoritë që parashikon ligji, përfitojnë përjashtim nga pagimi i tarifave dhe shpenzimeve gjyqësore.

Psikologia Jorida Rustemi thotë për “Vetting” se; “Mbrojtja që garantohet përgjatë gjithë procesit garanton një lloj sistemi referimi, i cili mund të mos jetë më i miri i mundshëm, por garanton një lloj  mbrojtjeje dhe një lloj rehabilitimi. Kjo mbështetje është falas”.

“Vetting” iu drejtua Ministrisë së Drejtësisë me anë të një kërkese për informacion lidhur me qendrat që ofrojnë shërbime juridike parësore falas. Në kthim-përgjigje për “Vetting”, Ministria deklaroi se qendra e parë e shërbimit të ndihmës juridike falas është hapur në Elbasan në vitin 2019.

“Përgjatë vitit 2019, Drejtoria e Ndihmës Juridike parësore Falas në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan mundësoi hapjen e qendrës së parë të shërbimit të ndihmës juridike parësore në qytetin e Elbasanit (në bashkëpunim me OSFA).”-u shpreh në përgjigjen zyrtare Ministria e Drejtësisë.

Ndërkohë që në vitin 2019 është hapur qendra e parë e shërbimit juridik parësor falas, nga shifrat disproporcionale duket se duket se qytetarët nuk kanë qenë të informuar për ndihmën që u ofrohej.

Ajo ç’ka ka ndryshuar nga vitet e tjera përpos shtimit të qendrave që ofrojnë shërbimin juridik parësor është, që për herë të parë me autorizimin e ministrit të Drejtësisë, financohen për një vit Organizatat Jo-fitimprurëse.

Urdhri i Mbrojtjes nuk mjafton për të mbrojtur gratë

Në Shqipëri gjatë viteve 2021-2023 u vranë 32 gra dhe vajza, ku 27 prej tyre u vranë nga autorë me të cilët viktimat ishin në marrëdhënie familjare.

Sipas raportit nga Avokati i Popullit rezulton se në rreth 90% të rasteve, viktimat e femicidit dhunoheshin nga autorët e vrasjes përpara kryerjes së krimit.

Shumë shqetësues është fakti që nga 32 gra të vrara, 6 prej tyre e kishin raportuar më parë në polici dhunën dhe dy prej tyre ishin të pajisura me Urdhër Mbrojtjeje dhe urdhër të Menjëhershëm Mbrojtjeje në momentin e vrasjes.

Feminicidi nuk është një term i përkufizuar apo i përdorur në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë apo në akte ligjore të tjera. Po ashtu, nuk ka dispozita të shprehura që rregullojnë vrasjet për shkak të gjinisë. “Fjalën feminicid nuk e kemi akoma në fjalorin e gjuhës shqipe. Ky term fjalë për fjalë do të thotë: Vrasja e grave dhe grave nga burrat për shkak të gjinisë. Ne në kodin tonë penal nuk kemi asnjë nen që flet për këtë gjë.”  Tregon avokatja Agolli.

Hezitimi për marrjen e masave të menjëhershme të mbrojtjes, mungesa e koordinimit ndërmjet institucioneve dhe bllokimi i masave për rehabilitimin e viktimave janë mangësi që shkelin të drejtën për të jetuar. Këto probleme pasqyrohen edhe në raportin nga Grupi i Ekspertëve për Veprim Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje (GREVIO) i publikuar në shtator 2024.

Shumë prej grave që marrin guximin për të denoncuar dhunuesin në organet kompetente, e dinë që çështja nuk mbaron me burgosjen e abuzuesit sepse në shumë raste viktima është vrarë, sapo ky i fundit ka dalë nga burgu.

Katër prej grave dhe vajzave të cilat paditën abuzuesin, duke u dënuar me burg nga Gjykatat janë vrarë disa ditë pasi dhunuesit kanë dalë nga burgu. Këto gra nuk u njoftuan në kohë për lirimin nga burgu të dhunuesve dhe mungesa e informacionit sjell me vete pamundësinë për t’u ruajtur apo për të kërkuar ndihmë tek familjarët apo Policia e Shtetit.

“Unë e kam ditur që në fillim që do vuaja, nuk e dija që do dhunohesha barbarisht ama psikologjiskëshit isha e sigurte që me atë njeri nuk do kisha fare mbështetje për asnjë lloj mendimi që do kisha për jetën”- shprehet gruaja e dhunuar.

Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, “mekanizmi i ngritur në nivel kombëtar për dhunën në familje nuk ka arritur t`i përgjigjet në mënyrë të përshtatshme rasteve të paraqitura, çka paraqet nevojën për një vlerësim të qartë dhe objektiv të situatës nga të gjithë aktorët e përfshirë, përmirësim të proceseve ekzistuese si dhe marrjen e masave të përshtatshme, për përgjigjen në mënyrë të denjë qytetarëve në nevojë, dhe për ti mbështetur në tejkalimin e problematikave të tyre sociale.

Të shohësh e të dëgjosh, qoftë edhe për së largu lajmin e kobshëm se si një familje shuhet brenda një nate për shkak të dhunës, na tregon se heshtja është përgjigje e përgjumjes së ndërgjegjes kolektive.

Këto ngjarje na tregojnë se si tmerri dhe lemeria flenë vetëm një hap larg paaftësisë së institucioneve të rendit dhe drejtësisë, pasoja që janë fatale për gruan.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme