Nga Klodian Tomorri
Në qershor të vitit 2015, qeveria shqiptare dha koncesionin e tretë në sektorin e shëndetësisë. Ky ishte koncesioni i sterilizimit të pajisjeve që spitalet publike përdorin në ndërhyrjet kirurgjikale.
Aksioneri më i madh pa asnjë financim
I njohur si mik i ish ministrit të atëhershëm të shëndetësisë Ilir Beqja, zoti Rrapaj arriti të shtinte në dorë së bashku me tre kompanitë e tjera kontratën me vlerë 140 milionë euro. Për të realizuar kontratën e majme, katër ortakët themeluan në Shqipëri kompaninë Saniservice. Dhe puna nisi menjeherë.
Për të financuar aktivitetin në vitin e saj të parë, kompania përdori një hua prej 877 milionë lekësh (8.4 milionë euro me kursin aktual), të marrë nga pronarët e saj. Por financimi erdhi vetëm nga 3 ortakët italianë. Kompania e zotit Rrapaj, Investital LLC, që kishte pjesën më të madhe të aksioneve nuk disbursoi asnjë cent.
Sigurisht që huadhënia nga pronarët është një praktikë e ligjshme dhe e njohur në financimin e aktivitetit të një biznesi. Huatë që merren kthehen sërish nga të ardhurat që kompania gjeneron përmes aktivitetit të saj. Por në një sipërmarrje me 4 aksionerë, ai që nuk financon ka risk zero dhe pret vetëm radhën kur kompania të ndajë fitimet.
Në këtë rast fitimet ishin të sigurta dhe risku pothuajse zero, pasi koncesioni garantohej nga buxheti i shtetit. Me pak fjalë, me duart në xhepa zoti Rrapaj priste vetëm radhën për të marrë fitimet nga kompania.
Pikëpyetja e madhe është se si një kompani, e cila nuk kontribuon me financime dhe nuk ka as eksperiencë arrin të bëhet aksionerja më e madhe e një koncesioni të majmë?
Në botë ka raste të tilla, kur sipërmarrës nisi nga hiçi biznese miliarda dollarëshe. Google dhe Facebook janë dy raste klasike. Por ata që ndërtuan këto kompani janë gjenij, të cilët kishin ide që revolucionarizuan botën. Aseti i vetëm i zotit Rrapaj ishte njohja e tij Ilir Beqjan dhe një foto me kryeministrin e Shqipërisë.
Koncesion pa tavan
Kur u shpall tenderi në vitin 2015, fondi limit i tij ishte përcaktuar 9.65 miliardë lekë (92 milionë euro) për të gjithë jetëgjatësinë e koncesionit. Me pak fjalë 965 milionë lekë në vit për 10 vitet e kontratës.
Por vlera limit u thye që në vitet e para sepse kontrata nuk kishte tavan të sipërm. Brenda tre viteve, financimi i buxhetit për koncesionarin e sterilizimit arriti në 1.7 miliardë lekë në vit ose gati dyfishin e fondit limit.
Për të përmbajtur çmendurinë që po masakronte buxhetin e Fondit Kombëtar të Sigurimeve Shëndetësore, spitalet publike filluan të ndërprisnin operacionet duke i lënë pacientët në listë pritje. E megjithatë, sterilizimi nuk ngopej.
Në vitin 2020, pasi financat e shtetit u hodhën në tokë nga pandemia, ministrja e financave Anila Denaj kërkoi rinegocimin e koncesionit për t’i vendosur tavan shpenzimeve, që kishin dalë jashtë çdo kontrolli. Zonja Denaj, më parë kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Fondit të Sigurimeve dhe ishte një nga njerëzit që e dinte më mirë se çfarë po ndodhte me kontratën.
Koncesioni u rinegociua me tavan, sigurisht shumë më teper sa sa fondi limit i përcaktuar kur u dha kontrata. Aktualisht sterilizimi iu kushton shqiptarëve 13.5 milionë euro në vit, 50 për qind më shumë se vlera e përcaktuar. Dhe nga këto para që disburson buxheti, zoti Rrapaj fiton 700 mijë euro neto pas taksave, çdo vit. Me duar në xhepa./OLIGARKIA